24 Shkurt

0 komente

Covax ndan vaksinat e para

Autor editor

24 Shkurt, 2021

kryesore

Gana u bë vendi i parë që merr vaksinat e koronavirusit përmes iniciativës për ndarjen e vaksinave Covax.

Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) synon të bëjë të mundur që vaksinat të ndahen në mënyrë të drejtë midis të gjitha kombeve.

Covax synon të shpërndajë rreth dy miliardë doza të vaksinave Covid-19 në mbarë botën deri në fund të vitit.

Një numër total prej 600,000 dozash të vaksinës të zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit arritën të mërkurën në kryeqytetin e Ganës, Akra.

Në një deklaratë të përbashkët, OBSH dhe fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët (Unicef) thanë se ishte një “ngjarje e rëndësishme”.

“Ardhja e vaksinave Covid-19 në Gana është thelbësore për t’i dhënë fund pandemisë”, thanë ata.

Vendi i Afrikës Perëndimore ka regjistruar më shumë se 80,700 raste me koronavirus dhe 580 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Këto shifra besohet të jenë më pak se numri real për shkak të niveleve të ulëta të testimit.

OBSH dhe Unicef thanë se dërgesa përfaqësonte “një pjesë të kontingjentit së parë të vaksinave Covid drejtuar disa vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme”.

Deri më tani, vendet më të pasura kanë qenë në gjendje të blejnë shumë më tepër vaksina Covid se vendet më të varfra.

Skema Covax u krijua nga OBSH, aleanca e vaksinave Gavi dhe Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) në përpjekje për të parandaluar kalimin e  vendeve të varfra në fund të radhës.

Programi është hartuar në mënyrë të tillë që vendet e pasura që blejnë vaksina të bien dakord të ndihmojnë gjithashtu financimin e aksesit për vendet e varfra.

Ai shpreson të dërgojë më shumë se dy miliardë doza për njerëzit në 190 vende në më pak se një vit. Në veçanti, ai dëshiron të sigurojë që 92 vendet e varfra të kenë qasje në vaksina në të njëjtën kohë me 98 vendet e pasura.

Shumica e vendeve afrikane synojnë të marrin vaksina të Covax, por një pjesë e tyre, si Senegali kanë marrë masa për të gjetur vaksina jashtë nismës.

Skema ka mbledhur deri më tani 6 miliardë dollarë (4.3 miliardë funte), por thotë se i duhen të paktën edhe 2 miliardë dollarë të tjerë për të përmbushur synimin e saj për 2021.

Covax është përballur me disa kritika për lëvizjen e avashtë. Një anëtar i bordit të OBSH-së, Dr Clemens Martin Auer i Austrisë, tha se kishte qenë e ngadaltë në sigurimin e marrëveshjeve për vaksinat dhe në shpërndarjen e dozave.

Në deklaratën e përbashkët të së Mërkurës u tha se dërgesa në Gana përfaqësonte “fillimin e atij që duhet të jetë operacioni më i madh në histori i prokurimit dhe furnizimit me vaksina”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes