12 Gusht

0 komente

Covid-19, Banka Botërore citon studimin: Shqipëria duhet të bëjë të paktën 3700 testime në ditë

Autor editor

12 Gusht, 2020

kryesore

Në një dokument që analizon përballjen e Shqipërisë me Covid-19, Banka Botërore citon shifra që tregojnë se niveli i testimeve është i pamjaftueshëm dhe kjo e vështirëson kufizimin e përhapjes së infeksionit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kur raporti mes rasteve pozitive dhe testimeve totale është më pak se 10%, kjo tregon se shkalla e testimeve është e mjaftueshme.

Në periudhën e mbylljes, Shqipëria ishte brenda këtij kufiri. Por, në javët e fundit, shkalla e pozitivitetit është rregullisht mbi 20%, çka tërthorazi tregon se numri i testimeve është i pamjaftueshëm.

Një studim nga Fondacioni Rockefeller sugjeron se shkalla e testimeve duhet të jetë të paktën 1.3 për çdo 1 mijë banorë në ditë. Për Shqipërinë, kjo do të përkthehej në të paktën 3700 testime në ditë, ndërkohë që në rastin më të mirë kemi arritur pak sipër kufirit të 600 testimeve në ditë. Fondacioni në fjalë sugjeron se gradualisht, në një hark kohor 6-mujor, shkalla e testimeve duhet të rritej deri në 13 për një mijë banorë, çka në rastin e Shqipërisë do të përkthehej në 37 mijë testime në ditë, shifër kjo utopike krahasuar me ato aktuale.

Ndonëse Shqipëria pati rezultate të mira në fazën e parë të përballjes me epideminë, kryesisht falë vendosjes së shpejtë të masave kufizuese, pas rihapjes situata është përkeqësuar ndjeshëm dhe shifrat janë në rritje të fortë.

Strategjia e rihapjes e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik vlerësonte se me shifrat që ka Shqipëria sot do të kërkohej rikthimi i masave kufizuese. Si kriter ishin përcaktuar një nuëmr prej 150 pacientësh të shtruar në spital dhe 25 në terapi intensive.

Zyrtarisht, numri i të shtruarve është më i ulët, sepse statistikat nuk përfshijnë ata pacientë që rezultojnë negativë ndaj tamponit, por në fakt kanë dëmtime të mushkërive të cilësuara tipike për Covid-19.

Banka Botërore miratoi në fund të muajit korrik një financim prej 15 milionë eurosh për të ndihmuar Shqipërinë në përballjen me pandeminë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes