Çmimi mesatar për minutë i paguar nga përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri u rrit për të katërtin vit radhazi. Sipas shifrave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, një shqiptar pagoi mesatarisht 3.33 lekë për minutë për thirrjet nga celulari gjatë vitit 2019. Krahasuar me vitin 2018, çmimi mesatar për minutë është rritur me 15%.
Çmimi mesatar për minutë, në fakt, llogaritet në mënyrë të tërthortë si e e ardhura mesatare për minutë e operatorëve celularë. Kjo matet duke pjesëtuar të ardhurat totale prej shërbimeve me pakicë me trafikun e thirrjeve dalëse të origjinuar nga përdoruesit. Rritja e këtij treguesi mund të shpjegohet me disa faktorë.
Një tipar i qartë i tregut në vitet e fundit është zhvendosja e përdorimit të celularit nga shërbimet e thirrjeve te ato të transmetimit të të dhënave. Shqiptarët kryejnë më pak telefonata dhe mesazhe të shkruara, sepse një pjesë të mirë të komunikimit e kryejnë përmes aplikacioneve që mbështeten tek interneti. Çmimi mesatar i thirrjeve rritet edhe për shkak të përdorimit më të ulët të tyre.
Por, nga ana tjetër, është fakt se në vitet e fundit operatorët po tentojnë të rrisin çmimet e komunikimit për përdoruesit.
Për shkak të tarifave shumë të larta standarde, shumica e përdoruesve me parapagesë komunkikojnë nga celulari vetëm përmes paketave. Fillimisht, operatorët tentuan të shkurtojnë kohëzgjatjen e paketave, ndërsa në vitet e fundit ka një tendencë për rritje të çmimit të paketave mujore. Po të shohim statistikat e viteve të fundit, të ardhurat e operatorëve nga shërbimet me pakicë janë në rritje graduale që prej vitit 2016.