7 Qershor

0 komente

Çmimet e prodhimit në rënie për të pestin tremujor radhazi

Autor editor

7 Qershor, 2020

kryesore

Çmimet e prodhimit e nisën në rënie edhe vitin 2020. Sipas të dhënave nga Instat, indeksi i çmimeve të prodhimit në tremujorin e parë ra me 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të tregtimit ose e thënë ndryshe çmimin me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit. Ai është një tregues i rëndësishëm orientues për ecurinë e pritshme të çmimeve të konsumit.

Çmimet e prodhimit janë në rënie prej pesë tremujorësh radhazi, çka tregon se presionet inflacioniste në ekonomi priten të jenë të ulëta edhe në të ardhmen e afërt. Rënia e çmimeve të prodhimit ka qenë përgjithësisht në linjë edhe me uljen e ndjeshme të inflacionit, që për vitin 2019 zbriti në 1.4%, nga 2% që kishte qenë një vit më parë.

Çmimet e prodhimit regjistruan rënie të njëkohshme si në industrinë nxjerrëse, ashtu edhe në atë përpunuese. Industria nxjerrëse pësoi rënien më të madhe, me 14.9%, e goditur nga rënia e çmimeve të lëndëve të para dhe sidomos e naftës në tregjet botërore.

Në industrinë përpunuese, që ka dhe peshën kryesore specifike në indeksin e çmimeve të prodhimit, rënia për tremujorin e parë rezultoi 1.5%, në nivele të përafërta me tremujorin paraardhës. Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, rënia e indeksit të çmimeve të prodhimit ishte 1.2%.

Ndërkohë që ekonomia ende nuk e kishte marrë veten nga kriza e dekadës së fundit, ecuria e çmimeve në ekonomi dhe projeksionet e tyre për të ardhmen tashmë po kushtëzohen ndjeshëm nga shpërthimi i krizës së re, të lidhur me epideminë e Covid 19.

Pasojat për këtë vit priten të jenë të rënda dhe do të sjellin ulje të prodhimit dhe punësimit në shumicën e ekonomive botërore, përfshi Shqipërinë. Ky skenar padyshim që do të godasë edhe kërkesën agregate, duke dobësuar presionin për rritjen e çmimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes