6 Mars

0 komente

Çmimet e prodhimit, në rënie gjatë gjithë 2019: inflacioni duket larg.

Autor Ersuin Shehu

6 Mars, 2020


Çmimet e prodhimit pësuan sërish rënie në tremujorin e fundit të vitit, duke dëshmuar se presionet inflacioniste në ekonomi priten të ulëta edhe në horizontin e afërt. Sipas Instat, indeksi i çmimeve të prodhimit pësoi një rënie vjetore me 1.1%.

Ndryshimi vjetor i çmimeve të prodhimit qëndroi në vlera negative gjatë gjithë vitit 2019, çka përbën jetë një sinjal i mëtejshëm se kthimi i inflacionit në objektiv do të jetë edhe më i vështirë se ç’parashikohet.

Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të tregtimit ose e thënë ndryshe çmimin me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit. Ai është një tregues i rëndësishëm orientues për ecurinë e pritshme të çmimeve të konsumit.

Rënia e çmimeve të prodhimit ka qenë përgjithësisht në linjë edhe me uljen e ndjeshme të inflacionit, që për vitin 2019 rezultoi 1.4%, nga 2% që kishte qenë një vit më parë.

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit pësuan rënie të njëkohshme si në industrinë nxjerrëse, ashtu edhe në atë përpunuese. Edhe këtë tremujor, industria nxjerrëse pësoi rënien më të madhe, me 3.2%, rënie kjo sidoqoftë më e kufizuar krahasuar me tremujorin e tretë.

Ndërkohë, rënia e çmimeve të prodhimit u theksua më shumë në segmentin më të rëndësishëm, atë të industrisë përpunuese. Pas rënie me 1.2% në tremujorin e tretë, për të katërtin rënia e çmimeve u thellua më tej në 1.6%.

Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, rënia e indeksit të çmimeve të prodhimit ishte 1.7%.

Deri në mesin e vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë e shpjegoi frenimin e çmimeve kryesisht me efektin e kursit të këmbimit. Mbiçmimi i lekut ndaj euros duket të ketë ulur kostot e industrisë përpunuese dhe, rrjedhimisht, edhe çmimet e prodhimit.

Megjithatë, vitin e kaluar kursi euro-lek u stabilizua ndjeshëm dhe mbiçmimi i monedhës shqiptare ishte shumë më i kufizuar krahasuar me vitin 2018.

Në daljet e fundit, Banka e Shqipërisë po shton theksin tek faktorët strukturorë dhe tek fakti që ndoshta kërkesa e brendshme ende është pamjaftueshme për të ndikuar në rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve.

Rrjedhimisht, ulja e mëtejshme e normës bazë të interesit ngelet një opsion që Banka e Shqipërisë po e merr në konsideratë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes