10 Shkurt

0 komente

Operatorët kompletojnë kartelin? Pas Albtelecom dhe Vodafone, edhe Telekom shtrenjton paketat mujore

Autor Ersuin Shehu

10 Shkurt, 2020


Edhe operatori i tretë celular, Telekom Albania, shtrenjtoi paketat mujore të komunikimit këtë muaj, duke shtuar dyshimet për një sjellje të bashkërenduar mes kompanive.

Paketat 30 ditore të komunikimit ishin shtrenjtuar në fillim të këtij muaj edhe nga Albtelecom, ndërsa ditën e sotme ka hyrë në fuqi edhe shtrenjtimi i paketave të operatorit më të madh, Vodafone Albania.

Tashmë, të tre operatorët celularë i kanë shtrenjtuar shumicën e paketave mujore me 200 lekë.

Nëse Vodafone dhe Albtelcom kishin respektuar së paku detyrimin për të njoftuar paraprakisht lidhur me shtrenjtimin e paketave, Telekom Albania nuk e ka bërë as këtë. Në faqen e internetit të operatorit nuk gjendet asnjë njoftim paraprak për përdoruesit lidhur me shtrenjtimin e paketave.

Mbështetur në vendimin nr. 37, datë 18 maj 2018, të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, operatorët duhet të njoftojnë ndryshimin e tarifave të shërbimeve të paktën 7 ditë para hyrjes së tyre në fuqi.

Kjo nuk është hera e parë që operatorët celularë veprojnë në mënyrë të bashkërenduar, në lidhje me kushtet e paketave. Një rast i ngjashëm kishte qenë shkurtimi i kohëzgjatjes së paketave mujore në 28 ditë.

Kjo detyroi AKEP të niste një procedurë administrative, në përfundim të së cilës operatorët celularë u urdhëruan të kthenin vlefshmërinë e paketave në 30 ditë. Praktika në fjalë u bë shkak edhe për hapjen e një hetimi paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës, që në shtator 2017 vendosi detyrimin ndaj operatorëve celularë të marrin masa për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim që përmbajnë paketat standarde, duke informuar Autoritetin e Konkurrencës.

Një detyrim i tillë nuk është zbatuar ende sot e kësaj dite, sepse operatorët argumentojnë se përllogaritja e çmimit për çdo njësi, në rastin e paketave mikse, është e pamundur.

Për shkak të moszbatimit të detyrimeve në vendimin e mësipërm, Vodafone Albania dhe Telekom Albania u gjobitën në shkurt të vitit 2018 me 0.02% të xhiros për vitin paraardhës, ose rreth 5 milionë lekë gjithsej. E tepërt të thuhet se gjobat e këtyre përmasave vetëm sa i “gudulisin” kompanitë e telefonisë dhe rezultatet janë të dukshme.

Nga ana tjetër, AKEP vazhdon të jetë në një letargji institucionale prej muajsh.

Ish- kryetari i Këshillit Drejtues, Ilir Zela, dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar dhe kryeministri Rama e zëvendësoi me shefin e tij të protokollit, Tomi Frashëri. Që nga marrja e detyrës së kryetarit të ri, institucioni nuk ka marrë asnjë vendim.

Rasti më flagrant është mosmiratimi i analizave të tregjeve të telefonisë celulare dhe i masave rregullatore të mbështetura në to. Ndonëse analizat e tregut duhen kryer çdo dy vjet, AKEP nuk ka miratuar një të tillë që nga viti 2014.

Në prill të vitit të kaluar, më në fund analizat e tregut u hodhën për konsultim publik, por, për shkak të presioneve dhe luftës së lobimeve mes operatorëve celularë, ato ende nuk janë miratuar.  

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes