Sistemi bankar ka filluar të reagojë ndaj masave të paketës së deeuroizimit. Në analizën e periodike të treguesve që janë objekt i kësaj strategjie, Banka e Shqipërisë vlerëson se veprimtaria bankare ka shfaqur më shumë ndjeshmëri ndaj masave për rritjen e përdorimit të monedhës vendase dhe uljen e përdorimit të valutës.
Sidoqoftë, në përputhje edhe me objektivat e strategjisë, Banka Qendrore gjykon se ky proces po vijon me hapa të ngadaltë dhe do të nevojitet më tepër kohë që masat të japin efekete edhe më domethënëse.
Rezultatet më të prekshme duken në krahun e aktiveve të bilancit të sektorit bankar. Në fund të vitit 2019, pesha e portofolit në valutë ra në 51.4%. Ky tregues paraqitet në rënie të ndjeshme, me 2.3 pikë përqindje nga mesi i vitit 2019 dhe me 5.2 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2018.
Megjithatë, kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ngelen në nivele të luhatshme, Ato kanë rënë me afërsisht një pikë përqindje krahasuar me mesin e vitit 2019, por janë në nivele më të larta krahasuar me një vit më parë.
Në krahun e depozitave, vërehet një rënie vjetore e peshës së fondeve në valutë. Në fund të vitit 2019, depozitat në valutë të huaj përbënin 51.7% të totalit, nga 53.6% që zinin një vit më parë.
Banka e Shqipërisë ka theksuar edhe njëherë se është e nevojshme marrja e masave për të kontrolluar dhe ulur nivelet e përdorimit të valutës, në mënyrë graduale, edhe në sektorin real të ekonomisë.
Megjithëse dy vjet më parë Memorandumi i Bashkëpunimit, u nënshkrua në prill të vitit 2017 edhe nga Ministria e Financave dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, këto dy institucione nuk kanë marër ndonjë masë konkrete për të ulur përdorimin e euros.
Prtishmëritë e Bankës së Shqipërisë, por edhe të sektorit bankar, janë të adresuara kryesisht tek Ministria e Financave, që deri tani nuk ka bërë asgjë për të kufizuar apo dekurajuar përdorimin e euros në transaksionet e brendshme ekonomike.