16 Prill

0 komente

BSH: COVID 19 i ka gjetur bankat të shëndetshme. Të rrisin rezervat e kapitalit dhe likuiditetit.

Autor Ersuin Shehu

16 Prill, 2020

kryesore

Banka e Shqipërisë gjykon se pandemia e ka gjetur sistemin financiar dhe sektorin bankar në një gjendje shumë të mirë financiare dhe kjo do të mundësojë përthithjen e goditjeve të mundshme nga efektet e pandemisë mbi ekonominë e vendit.

Në kushtet kur ekonomia përballet me një pasiguri në rritje për shkak të COVID-19, banka qendrore evidenton se kjo situatë e ka gjetur sektorin bankar në kushte optimal kapitalizimi, likuiditeti dhe shëndeti financiar në tërësi.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të stabilitetit financiar shprehet se kjo gjendje shtron shumë të panjohura dhe bankat duhet të përmirësojnë modelet e tyre të vlerësimit të kapaciteteve dhe provave të rezistencës.

Bankat tani duhet të rrisin përparësinë dhe frekuencën e realizimit të stress-testeve, duke përshtatur ashpërsinë dhe kompleksitetin e skenarëve me zhvillimet e reja, të krijuar nga pandemia.

Në përputhje me rezultatet, bankat duhet të vlerësojnë përshtatshmërinë e kapaciteteve që zotërojnë, për të përballuar goditjet eventuale që prodhojnë ata skenarë, jo vetëm në afatin e shkurtër por edhe në një afat më të gjatë.

Banka e Shqipërisë rekomandon që fokusi i vendimeve të jetë tek ndërmarrja e veprimeve që ruajnë dhe përmirësojnë më tej rezervat e kapitalit dhe të likuiditetit.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka theksuar sërish gatishmërinë për të marrë masa të reja rregullative që do të ndihmojnë sistemin financiar dhe ekonominë të amortizojnë sa më mirë efektet e pandemisë.

Deri tani, Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë normën bazë të interesit në minimumin historik prej 0.5% dhe ka ngushtuar diferencën mes normës së interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore, duke ulur këtë të fundit në 0.9%.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vendosur ndryshimin e formës së ankandit javor të injektimit të likuiditetit, për të mundësuar dhënien e likuiditetit të bankave në mënyrë të pakufizuar dhe me normën bazë të interesit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes