Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vendosi në datë 6 dhjetor të revokojë licencën e dy institucioneve financiare të huadhënies, Iute Credit Kosovë dhe Monego. Në deklaratën zyrtare, BKQ-ja u shpreh se këto dy institucione kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat.
Devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues ka të bëjë me normat e interesit që kompanitë kanë aplikuar në kredidhënie, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që kishin paraqitur në dokumentacionin e aplikimit për licencë. Sipas BQK-së, këto institucione kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe kanë vendosur në rrezik stabilitetin financiar të vendit.
BQK-ja bëhet kështu autoriteti i parë mbikëqyrës që vendos të aplikojë linjën e ashpër kundër institucioneve financiare që ofrojnë kredi të shpejta, por me norma shumë të larta interesi. Norma efektive vjetore e interesit për kreditë e dhëna nga institucionet e këtij lloji mund të shkojë edhe më shumë se 200% në vit.
Megjithatë, duke qenë se në përgjithësi bëhet fjalë për kredi në shuma të vogla dhe që ofrohen në kohë shumë të shpejtë, përgjithësisht kompanitë e këtij lloji kanë rezultuar të suksesshme në tregjet e Europës Lindore, përfshi Shqipërinë.
Në tregun tonë, zhvillojnë aktivitetet të paktën dy kompani të këtij lloji, Iute Credit dhe Kredo Finance, ndërsa një e tretë, Mogo, ofron lizing për blerjen e mjeteve të përdorura.
Grupi Iute Credit, përfshi kompanitë në Shqipëri dhe Kosovë, është në pronësi të biznesmenëve estonezë Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu. Kredo Finance dhe Mogo, në mënyrë të tërthortë, zotërohen nga biznesmeni letonez Aigars Keserfelds, pronar njëkohësisht edhe i kompanisë Monego në Kosovë.
Megjithëse kostot e larta të kredive janë bërë objekt debatesh edhe në Shqipëri, deri tani Banka Qendrore iu ka lënë dorë të lirë këtyre institucioneve. Banka e Shqipërisë është shprehur se, për sa kohë kushtet e produkteve janë të qarta dhe transparente për klientin dhe ai i pranon me vullnetin e tij të lirë, veprimtaria e këtyre institucioneve është normale dhe e ligjshme.
Qasja e Bankës së Shqipërisë është e ngjashme me atë të institucioneve mbikëqyrëse finciare në vendet e tjera ku kompani të këtij lloji operojnë.
Por, tashmë institucioni homolog kosovar ka dalë me një këndvështrim të ndryshëm, duke argumentuar se ofrimi i kredive me kosto kaq të larta varfëron qytetarët dhe rrezikon stabilitetin financiar të vendit.
Ngelet për t’u parë nëse precedenti kosovar do të shkaktojë ndonjë reflektim në Shqipëri apo në vendet e tjera të rajonit. Autoritetet rregullatore janë përballë nevojës për të gjetur ekuilibrin e duhur mes lejimit të lirisë së sipërmarrjes dhe nxitjes së konkurrencës nga njëra anë, por edhe mbrojtjes së interesit konsumator dhe stabilitetit financiar nga ana tjetër.
Fakt është që BQK-ja këtë vit po shfaqet si një rregullator mjaft rigoroz. Në fillim të vitit, ky institucion i hoqi licencën kompanisë së sigurimeve Insig, që nuk iu përgjigj kërkesave për të rritur kapitalin. Megjithëse probleme të kësaj natyre kompanitë Insig dhe Eurosig kanë edhe në Shqipëri, qasja e autoriteteve shqiptare është larg vendosmërisë së treguar nga institucionet kosovare.