Banka Qendrore Europiane do t’iu japë akses në instrumentet e veta të financimit bankave qendrore jashtë Eurozonës. Instrumenti i ri, i quajtur EUREP, ka si qëllim plotësimin e nevojave për likuiditet të sistemeve financiare dhe ekonomive të vendeve që nuk bëjnë pjesë në zonën Euro. Ky vendim vjen në vijim të krizës së lidhur me epideminë e Covid-19, që po sjell pasoja të rëndë në ekonomitë e vendeve të prekura.
EUREP do të jenë marrëveshja të anasjellta të riblerjes (REPO), si instrument i posaçëm për bankat qendrore. Huadhënia me EUREP do të bëhet duke pranuar si kolateral instrumente financiare të tregtueshme në monedhën europiane.
BQE-ja argumenton se EUREP do të adresojë nevoja për likuiditet në euro të shkaktuara nga kriza e Covid-19 dhe qëllimi i këtij instrumenti është të evitojë efektet që një skenar i tillë do të kishte në mekanizmin e transmetimit të politikës së saj monetare.
Për momentin, Banka Qendrore Europiane nuk ka dhënë detaje të mëtejshme rreth kushteve apo kritereve të veçanta për bankat qendrore që do të përfitojnë nga instrumneti i ri. Nuk është ende e qartë nëse ai do të jetë i kufizuar për bankat qendrore të vendeve anëtare të BE-së, por që nuk janë pjesë Eurozonës apo në të do të kenë akses edhe bankat qendrore jashtë BE-së.
Por, në rastin e dytë, ky instrument mund të jetë një mbështetje e rëndësishme për ekonomitë me shkallë të lartë euroizimi, si Shqipëria. Marrja e aksesit nga Banka e Shqipërisë në linjat e financimit të BQE-së do t’i hapte sistemit financiar dhe ekonomisë shqiptare një shteg sigurie, në rast të nevojave emergjente për valutë.
Sipas projeksioneve të Bankës Botërore, këtë vit Shqipëria pritet të pësojë një rritje të deficitit të llogarisë korrente në rreth 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.