Ka zgjatur më pak se dy vjet “martesa” e grupit Balfin me një nga platformat e para të shitjeve online në Shqipëri, Aladini.al (ish-Dyqan Taxi).
Në fillim të këtij viti, grupi më i madh i biznesit në vend vendosi të heqë dorë nga pronësia e kompanisë NetTrade Albania ( që zotëron markën tregtare në fjalë), duke ia shitur paketën kontrolluese të aksioneve themeluesit të kompanisë, Valer Pinderi, për shumën simbolike 1 euro.
NetTrade Albania është një kompani e themeluar në vitin 2012, me aktivitetet kryesor platformat e shitjes në distancë, përmes markave aladini.al, bukinisti.al, sekret.al, etj.
Grupi Balfin bleu 90% të kuotave në shoqërinë NetTrade Albania në qershor të vitit 2018, për një shumë zyrtare prej rreth 180 mijë eurosh. Por, në më pak se dy vjet, ky biznes është vlerësuar pa interes të mëtejshëm nga grupi i Samir Manes.
Mbështetur në pasqyrat financiare të vitit 2018, NetTrade Albania raportoi rezultat me humbje në vlerën e 26 milionë lekëve, ndërsa edhe në vitin 2017 bilanci ishte mbyllur me një humbje prej 19 milionë lekësh.
Të dhënat financiare të vitit 2019 nuk janë publikuar ende, por vendimi i Samir Manes për të hequr dorë nga kjo kompani lë të kuptohet se performanca financiare nuk është përmirësuar as vitin e kaluar.