27 Prill

0 komente

Borxhi publik rritet në 9.3 miliardë euro. Deri në fund të vitit do të arrijë në 9.7 miliardë.

Autor editor

27 Prill, 2020

kryesore

Borxhi publik iu kthye rritjes qysh në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tre muajt e parë të vitit 2020 stoku i borxhit publik u rrit me 50 miliardë lekë dhe arriti një vlerë totale prej 1 trilionë e 162 miliardë lekësh ose rreth 9.3 miliardë eurosh.

Statistikat zyrtare e kanë reflektuar rritjen edhe në treguesit realë, megjithëse kjo rritje paraqitet larg asaj që pritet të jetë përmasa reale.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, borxhi ndaj prodhimit kombëtar ka arritur në 66.71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rritje për herë të parë që nga viti 2015. Por kjo llogari është bërë duke supozuar një rritje të prodhimit kombëtar prej rreth 3%, çka pas epidemisë së Covid 19 duket një parashikim tejet optimist. Institucionet specializuara ndërkombëtare presin që ekonomia shqiptare të pësojë rënie këtë vit, rënie që mund të shkojë deri në 5%.

Në këto kushte, borxhi publik pritet të jetë shumë më i lartë. Duke supozuar një rritje ekonomike 0 për këtë vit, në fund të tremujorit të parë borxhi publik do të ishte sa 68.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por, duke qenë se stoku i borxhit është parashikuar të rritet më tej gjatë vitit, në terma realë ai pritet të kalojë padyshim pragun e 70% të PBB-së, nivel që nuk e kalonte që prej vitit 2017.

Në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit, të miratuar në mesin e muajit prill, qeveria shqiptare e rriti tavanin e borxhit publik në 1.212 trilionë lekë, rreth 50 miliardë lekë më shumë se borxhi që raportohet në fund të marsit.

Nëse supozojmë sërish një skenar të rritjes ekonomike zero, pritet që borxhi publik në fund të vitit të arrijë në kufijtë e 72%. Nëse prodhimi kombëtar do të pësojë rënie, atëherë natyrisht edhe borxhi real do të jetë edhe në i lartë.

Qeveria shqiptare mori hua rreth 250 milionë euro gjatë muajit prill, që ishin në pjesën më të madhe huamarrje e re. Ndërkohë, për muajin maj është parashikuar dalja në tregjet ndërkombëtare për të siguruar një borxh prej të paktën 500 milionë eurosh përmes emetimit të obligacioneve të reja në monedhën europiane.

Deri në fund të marsit, borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në rreth 3200 euro për frymë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes