29 Prill

0 komente

Bonus-malus, një flluskë? Kompanitë e sigurimeve nuk po e zbatojnë.

Autor Ersuin Shehu

29 Prill, 2020

kryesore

Në prill të këtij viti, parashikohej aplikimi i shumëpritur i sistemit bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorrike. Kjo u shpall me bujë një vit më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kur nisi edhe regjistrimi i dëmeve të shkaktuara nga drejtuesit e mjeteve në Shqipëri.

Regjistri i dëmeve duhet të jetë baza për llogaritjen e primeve në bazë të parimit bonus-malus: kush shkakton dëme, do të paguajë më shumë, ndërsa drejtuesit e rregullt të mjeteve do të paguajnë më pak për sigurimin e detyrueshëm të mjetit, që mbulon përgjegjësitë ndaj palëve të treta.

Mbështetur në këtë sistem, ata që nuk kishin shkaktuar dëme deri në 1 prill të këtij viti, si rregull, duhet të paguanin një prim sigurimi më të ulët.

Por, në fakt, po të përpiqesh të blesh një sigurim automjeti, asnjë nga kompanitë e sigurimeve nuk aplikon prime të diferencuara mbështetur te dëmet. Të gjithë siguruesit kanë ngritur një sistem që mbështetet mbi disa kritere standarde, të lidhura me cilindratën e mjetit dhe me vitin e prodhimit.

Për një mjet të cilindratës së mesme, 1600 cc deri në 2500 cc, primi i sigurimit vjetor është në intervalin mes 18 mijë dhe 19 mijë lekë, në varësi të kompanisë së sigurimeve.

Bonus -malus, si funksionon në letër

Klasa hyrëse për të gjithë drejtuesit e mjeteve, për vitin e parë të vënies në zbatim të sistemit Bonus-Malus ishte klasa 13. Ajo do të aplikohej mbi primin e sigurimit me koeficient me vlerë të barabartë me 1. Më tej, drejtuesit e mjeteve që nuk shkaktonin asnjë dëm gjatë vitit paraardhës do të ulen një klasë më poshtë, në atë 12, duke përfituar një prim më të ulët sigurimi.

Nëse për 13 vjet radhazi drejtuesi i mjetit nuk shkakton asnjë dëm, atëherë ai duhet të paguajë një prim sigurimi të përgjysmuar në raport me vitin e parë të hyrjes në fuqi të sistemit. Drejtuesi i mjetit që gjatë vitit të sigurimit shkakton një dëm, do të ngjitet dy klasë më lart. Ai që shkakton dy ose më shumë dëme gjatë një viti, do të ngjitet pesë klasa më lart.

Drejtuesit që kanë shkaktuar aksidente dhe që përfshihen në klasën e fundit, atë 18, do të paguajnë një prim sigurimi dyfish më të lartë në raport me klasën 13, që është edhe niveli fillestar ku do të hyjnë në sistem të gjithë drejtuesit e mjeteve.

TPL-të pësuan rënie me 42% për muajin mars

Mbyllja e ekonomisë ka dhënë pasojat e veta edhe në tregun e sigurimeve. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për muajin mars primet e shkruara bruto pësuan rënie me 42% krahasuar me marsin e vitit 2019.

Tregu pësoi rënie në shumicën e klasave të sigurimit, por goditjen kryesore e ka dhënë grupi më i rëndësishëm, ai sigurimeve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Sigurimi i brendshëm i mjeteve pësoi rënie me 42% për marsin.

Në kushtet e kufizimit të lëvizjes, shumë prej drejtuesve të mjeteve që duhet ta përtërinin sigurimin vjetor gjatë muajit të kaluar nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes