Bonot me maturim 3-mujor shënuan një rënie të fortë të interesave në ankandin e ditës së martë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se yield mesatar për këto instrumente zbriti në 0.7%, nga 1.2% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Për të dytin ankand radhazi, e gjithë vlera e emetimit, prej 2.5 miliardë lekësh, u financua nga një ofertë e vetme, që rezultoi më e ulët se të tjerat.
Me shumë të ngjarë, bëhet fjalë për një nga bankat e mëdha tregtare që ka hyrë në ankand me një çmim mjaft agresiv. Nga 13 kërkesa të paraqitura në ankand, me vlerë totale prej 4.2 miliardë lekësh, vetëm njëra, që ofronte çmimin më të ulët, u pranua.
Bankat që zotërojnë sasi të mëdha të depozitave kanë një avantazh të konsiderueshëm konkurrues në tregun e bonove. Siç po ndodh prej dy ankandesh radhazi, një bankë e vetme po preferon të vendosë një pjesë të likuiditetit të lirë në bono, qoftë edhe pa ndonjë përfitim madh, me një yield shumë afër normës bazë të interesit.
Gjendja likuide e sistemit bankar po krijon avantazhe për qeverinë shqiptare, e cila po siguron huamarrje me çmime gjithnjë e më të ulëta, pavarësisht krizës ekonomike dhe rritjes së borxhit publikë sipër kufirit të 80%. Kjo tendencë ka prekur emetimet e letrave me vlerë për të gjitha maturitetet dhe është një ngushëllim për qeverinë shqiptare, në kushtet kur Covid-19 solli një rritje të fortë dhe të paparashikuar të borxhit public.