Qarkullimi vjetor i biznesit në Shqipëri për vitin 2018 arriti në rreth 17.7 miliardë euro. Të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve nga Instat treguan një rritje të shitjeve me 7% krahasuar me një vit më parë. Struktura e ekonomisë shqiptare as për vitin 2018 nuk pësoi ndryshime të mëdha dhe shërbimet dominuan me mbi 66% të shitjeve totale.
Megjithëse u shënua një rritje e lehtë e peshës së sektorit prodhues, kjo lidhet kryesisht me prodhimin e lartë të energjisë gjatë vitit 2018. Ky ngelet një sektor i luhatshëm dhe qysh në vitin 2019 prodhimi energjetik pësoi menjëherë rënie drastike.
Ndërkohë, numri i ndërmarrjeve aktive për vititn 2018 pësoi rënie për të dytin vit radhazi. Sipas Instat, Shqipëria ka rreth 107 mijë ndërmarrje aktive, pa përfshirë këtu fermerët dhe sipërmarrjet e bujqësore.
Shifrat e vitit 2018 treguan një thellim në hendekun e eficiencës që po krijohet mes bizneseve të mëdha dhe atyre më të vogla. Kontributi i ndërmarrjeve të vogla në ekonomi është në rënie, si në qarkullimin që ato realizojnë, ashtu edhe në numrin e njerëzve që punësojnë.
Ndërkohë që përbëjnë rreth 88% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve, ato realizuan vetëm 11.4% të xhiros, nga 12.1% që kishin në vitin 2017. Edhe pesha në punësim ra në 29.4%, nga 30.4% që zinte për vitin 2017.
Bizneset me më shumë se 50 të punësuar, vitin e kaluar realizuan 48.5% të xhiros në ekonomi, në rritje me dy pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Bëhet fjalë për rreth 1300 ndërmarrje, që përfaqësojnë 1.2% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Shqipëri, por që realizojnë afro gjysmën e shitjeve dhe mbi 70% të investimeve private në ekonomi.
Bizneset e mëdha kanë produktivitet më të lartë dhe kosto më të ulëta për njësi, çka i bën më konkurruese krahasuar me bizneset e vogla dhe mikro. Zgjerimi i peshës së biznesit të madh në ekonomi mund të jetë ndikuar edhe nga trysnia në rritje për formalizim.
Shumë biznese të vogla, sidomos në tregti, mbijetonin në sajë të informalitetit. Me shtimin e presionit për të paguar taksa, mbijetesa e tyre është më e vështirë. Kjo e ka ulur numrin e ndërmarrjeve aktive dhe ka zvogëluar peshën e biznesit të vogël në ekonomi.