22 Prill

0 komente

Biznesi shqiptar fiton 1.5 miliardë euro në vit. Industria nxjerrëse ka normën më të lartë të fitimit.

Autor Ersuin Shehu

22 Prill, 2020

kryesore

Aktiviteti fitimprurës në Shqipëri është bërë industria nxjerrëse. Mbështetur në të dhënat e Instat për vitin 2018, bizneset e industrisë nxjerrëse kanë një fitim neto kundrejt xhiros totale në nivelin 14%, më i larti në ekonominë shqiptare.

Industria nxjerrëse në Shqipëri është e përqendruar kryesisht te nxjerrja e naftës bruto dhe e kromit, ku zhvillojnë aktivitet disa shoqëri të mëdha koncesionare.

Sektori i dytë për nga përfitueshmëria është ai i energjisë elektrike dhe ujit. Për vitin 2018, norma e fitimit në këtë sektor rezultoi 13%. Megjithatë, performanca financiare e ndërmarrjeve të sektorit energjetik ka një luhatshmri të ndjeshme vit pas viti, sepse sasia e prodhimit dhe shitjeve është e kushtëzuar nga niveli i prurjeve të lumenjve.

Norma e fitimit për sektorët kryesorë të ekonomisë, 2018

Industria nxjerrëse14%
Energjia13%
Shërbimet12%
Ndërtimi11%
Transporti10%
Industria përpunuese9%
Hotele-restorante7%
Tregtia6%
Mesatarja e ekonomisë8%
Burimi: Instat

Sektori i tretë më fitimprurës për vitin 2018 rezultoi ai i shërbimeve, me 12%, ndërsa ndërtimi u rendit i katërti, me 11%.

Sektorët më pak fitimprurës, sipas të dhënave të Instat, janë tregtia me 6% dhe sektori i hotelerisë dhe restoranteve, me 7%. Këto kategori përfshijnë edhe numrin më të madh të bizneseve në vend, ndaj përfitueshmëria më e ulët duket e lidhur direkt me konkurrencën më të madhe brenda tregjeve përkatëse.

Për shkak të peshës së kartë të këtyre sektorëve në ekonomi, edhe norma mesatare e fitimit gjatë vitit 2018 rezultoi 8%, ndjeshëm më pak në raport me sektorët më fitimprurës.

Sipas Instat, fitimi total neto i ndërmarrjeve ekonomike për vitin 2018 ishte 183 miliardë lekë ose rreth 1.5 miliardë euro. Rreth 56% e këtyre fitimeve përfitohen nga bizneset e shërbimeve, që përbëjnë edhe numrin më të madh të ndërmarrjeve në ekonomi.

Nga ana tjetër, ndërmarrjet prodhuese kanë një nuëmr më të vogël dhe gjenerojnë më pak fitime në vlerë absolute, por kanë një normë fitimi pothuajse 50% më të lartë krahasuar me mesataren e ndërmarrjeve të shërbimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes