Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë kërkon që bizneset e prekura nga kriza të mbështeten me kredi të garantuara nga qeveria dhe me interes simbolik në masën 0.2%. Në takimin e organizuar nga Banka e Shqipërisë me përfaqësues të bankave tregtare dhe bizneseve, kryetarja e Dhomës, Ines Muçostepa, kërkoi që kjo skemë të mbështesë të gjitha bizneset që kanë pësuar një rënie të xhiros me të paktën 20% pas shpërthimit të pandemisë.
Sipas saj, paketat e deritanishme të ofruara nga qeveria kanë pasur një dimension social, në mbrojtje të të punësuarve, por nuk ofrojnë një ndihmë ekonomike për bizneset, për të mundësuar përthithjen e pasojave të krizës dhe për të garantuar vijimësinë e aktivitetit.
Gjithashtu Bashkimi i Dhomave të Tregtisë kërkon shtyrje të mëtejshme të kësteve të kredive ekzituese për ndërmarrjet e sektorëve më të prekur nga kriza deri në një vit.
Sipas dhomës së përfaqësisë së bizneseve, kriza ka pasur pasoja të rëndë për sipërmarrjen private. Deri tani, vlerësohen rreth 60 mijë vende pune të humbura për shkak të situatës së krijuar dhe ndërprejres së aktivitetit të bizneseve.
Ndërkohë, edhe shumë prej ndërmarrjeve që vazhdojnë aktivitetin kanë pësuar rënie të fortë të të ardhurave, për shkak të anullimit të kontratave, rënies së porosive dhe kërkesës së jashtme, por edhe vështirësive për t’u furnizuar me lëndë të parë dhe për të punuar me kapacitet të plotë.