11 Qershor

0 komente

Bien investimet e huaja, 227 mln euro për tremujorin I

Autor Ersuin Shehu

11 Qershor, 2020

kryesore

Investimet e huaja direkte pësuan rënie në tremujorin e parë të vitit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja kishin vlerën e 227 milionë eurove, në rënie me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e investimeve të huaja ishte e pritshme pas përfundimit të projektit madhor, gazsjellësit Trans Adriatik. Megjithatë, edhe vitin e kaluar investimet rezultuan në rritje dhe ekonomia shqiptare për vitin 2019 thithi rreth 1 miliardë e 79 milionë euro investime të huaja. Pothuajse 40% e tyre nuk ishin investime të reja, por fitime të riinvestuara nga ndërmarrjet ekzistuese.

Sektori energjetik ka dhënë shtysën kryesore për rritjen e investimeve të huaja direkte në dekadën e fundit. Veç gazjellësit TAP, të tjera projekte të mëdha kanë qenë ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës nga kompanitë austriake Verbund dhe EVN, ndërtimi i hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës nga norvegjezët e Statkraft apo HEC-et e Fangut dhe Peshqeshit në Mirditë, nga kompania turke Ayen Energy.

Edhe mes qindra HEC-eve më të vegjël që janë ndërtuar në dekadën e fundit, disa syresh i takojnë investitorëve të huaj, sidomos italianë.

Volume të mëdha investimesh ka sjellë edhe industria e nxjerrjes së naftës, ndërsa për pjesën tjetër investimet janë përqendruara sidomos në sektorët e shërbimeve.

Shpërthimi i krizës së COVID-19 pritet të ketë ndikimin e vet edhe në ecurinë e investimeve të huaja, megjithëse Banka Botërore parashikon që, të paktën për këtë pjesë, Shqipëria do të ndikohet më pak krahasuar me vendet e tjera të rajonit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes