24 Shkurt

0 komente

BERZH do të blejë 5% të operatorit rumun Hidroelectrica para listimit në bursë

Autor Ersuin Shehu

24 Shkurt, 2020


Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) synon të mbështesë listimin e kompanisë publike rumune të prodhimit të energjisë në bursën e Bukureshtit, përmes blerjes së 5% të aksioneve.

Qeveria rumune ka planifikuar të shesë 20% të aksioneve të kompanisë publike Hidroelectrica në bursë në gjysmën e dytë të këtij viti.

BERZH i ka bërë të ditur qeverisë rumune synimin për të blerë 5% të aksioneve, përmes një procesi para-listimi. 15% e aksioneve të mbetura pritet të shiten me ofertë publike (IPO) për investitorë të tjerë.  

Para-listimi ose shitja para IPO-s konsiston në blerjen e një sasie të madhe të aksioneve nga një investitor i specializuar. Për blerësin, avantazhi është blerja e aksioneve me një çmim më të ulët se ai i ofertës publike, ndërsa për kompaninë e listuar kjo është një mënyrë për të ulur rrezikun që oferta publike e aksioneve të mos rezultojë aq e suksesshme sa prtishmëritë.

Qeveria rumune synon të arkëtojë rreth 1 miliardë euro nga shitja e 20% të aksioneve të Hidroelectrica.

Listimi i aksioneve të kompanive publike ka qenë një ndër mënyrat më të efektshme për të nxitur zhvillimin e bursës në vendet e Europës Lindore.

Deri tani, Shqipëria është ndër të paktat vende që ka ngelur jashtë këtij procesi dhe ende nuk ka asnjë shoqëri tregtare të listuar në bursë.

Në vitin 2018, kryeministri Edi Rama tha se qeveria shqiptare do të shiste në bursë një pjesë të aksioneve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Por, siç e dimë, nga e thënë në të bërën e politikanëve është në mes një det i tërë.

Listimi i OSHEE-së në bursë për momentin është harruar dhe operatori po vazhdon procesin e gjatë burokratik të ndarjes në tre kompani të veçanta.

Prej dy vjetësh, Shqipëria ka një bursë funksionale në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare. Pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe teknike, ALSE është tashmë e gatshme për të tregtuar edhe titujt e kompanive private.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes