Banka e Shqipërisë ka vijuar injektimin e parasë në ekonomi edhe në muajin qershor. Statistikat tregojnë se baza monetare në mesin e vitit arriti nivelin rekord prej 472 miliardë lekësh. Në katër muajt fundit, kohë që përkon me shpërthimin e pandemisë së Covid-19, baza monetare është rritur me 44 miliardë lekë ose afërsisht 10%.
Në muajin mars, Banka e Shqipërisë vendosi një lehtësim të mëtejshëm të politikës së saj monetare, duke e ulur normën bazë në minimumin e ri historik prej 1%.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vendosi ndryshimin e formës së ankandit javor të injektimit të likuiditetit, për të mundësuar dhënien e likuiditetit të bankave në mënyrë të pakufizuar dhe me çmimin e normës bazë të interesit.
Kjo zgjeroi aksesin e bankave tregtare në këtë instrument dhe plotësoi nevojat e ekonomisë për para në një moment delikat, kur epidemia çoi në mbylljen e shumicës së aktiviteteve ekonomike.
Mbështetja e Bankës Qendrore ka qenë një faktor mbështetës për vijimësinë normale të aktivitetit normar të sistemit financiar dhe ekonomisë në muajt e fundit.
Tregu është përgjithësisht likuid dhe kjo është reflektuar edhe në normat e interesit të instrumenteve të borxhit qeveritar, që paraqiten në rënie, pavarësisht krizës ekonomike dhe përkeqësimit të parametrave buxhetorë.