Bankers Petroleum konfirmon se është në bisedime me Allum Enterprises për të arritur një marrëveshje që do të mundësojë rifillimin e punës në rafinerinë e Ballshit. Megjithatë, burime nga Bankers bëjnë të ditur se palët ende po negociojnë dhe nuk është nënshkruar ende një marrëveshje, siç shpalli dje Ministria e Energjisë.
Rafineria e Ballshit është e mbyllur qysh prej muajit nëntor 2019, pasi kompania që e operonte me qira, Tosk Energji nuk ishte më në gjendje të paguante furnizimin me naftë bruto. Sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Energjisë, ditën e enjte, Rafineria tashmë do të operohet nga kompania pronare, Allum Enterprises, që e pati blerë në vitin 2017 nga Credins Bank. Por, Allum nuk zhvilloi asnjëherë aktivitet prodhues në rafineri, por e dha atë me qira te kompania tjetër Tosk Energji.
Qysh pas privatizimit, në vitin 2008, Rafineria e Ballshit ka punuar me ndërprerje, për shkak të problemeve të vazhdueshme financiare të shoqërive që e kanë menaxhuar. Problemet nisën kur ARMO u privatizua nga konsorciumi AMRA Oil, i kontrolluar nga bizesmeni shqiptar Rezart Taçi. Në vitin 2013, Taçi pranoi ta shiste ARMO-n e zhytur në një kolaps borxhesh tek një kompani offshore e quajtur Heaney Assets, e kontrolluar prej ish-drejtuesve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit. Epoka e azerëve zgjati më pak se dy vjet, ARMO hyri sërish në kolaps dhe asetet u nxorrën në ankand.
Rafineria u riposedua nga Credins Bank, që ishte një nga kreditorët më të mëdhenj të kompanisë. Në vitin 2016, Credins arriti një marrëveshje për shitje me kusht të rafinerisë tek kompania IRTC, pas të cilës qëndronte biznesmeni Besnik Sulaj. Por, pasi e shfrytëzoi rafinerinë afërsisht për një vit, IRTC dështoi të paguante shumën e parashikuar në kontratën e blerjes me Credins Bank. Në këto kushte, banka e mori sërish në pronësi rafinerinë dhe e shiti tek kompania Allum Enterprises.