11 Gusht

0 komente

Bankat rritën portofolin e letrave me 480 milionë euro në tremujorin II

Autor Ersuin Shehu

11 Gusht, 2020

kryesore

Bankat tregtare kanë rritur ndjeshëm investimet në letra me vlerë përgjatë 12 mujave të fundit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i letrave me vlerë në fund të muajit qershor arriti vlerën e rreth 485 miliardë lekëve, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit, ky portofol është shtuar me rreth 480 milionë euro.

Kriza e Covid-19 solli një rritje të fortë të kërkesës për financim nga qeveria, me qëllim mbulimin e deficitit të shtuar buxhetor, që u shkaktuar sidomos nga rënia drastike e të ardhurave. Gjatë tremujorit të dytë, qeveria emetoi eurobondin prej 650 milionë eurosh, ndërsa rriti paralelisht stokun e borxhit të brendshëm me rreth 350 milionë euro.

Bankat e kanë shfrytëzuar këtë konjukturë, duke i kanalizuar fondet e lira te titujt e borxhit qeveritar. Përveçse ngelen financueset kryesore të borxhit të brendshëm, besohet se bankat shqiptare investuan masivisht edhe te eurobondi i emetuar në tregjet ndërkombëtare.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Këto zhvillime u reflektuan në një rritje të fortë të peshës së letrave me vlerë në bilancet e tyre. Në fund të qershorit, ato përbënin pothuajse 32% të aktiveve të sistemit bankar, nga 26% që përbënin një vit më parë. Titujt e qeverisë janë një alternativë e volitshme, sepse sigurojnë kthime të kënaqshme për një periudhë kur normat e interesit ndodhen në minimumet historike.

Megjithëse kredia po ndjek një tendencë pozitive që nga viti i kaluar, kriza e Covid-19 ka shtuar pasigurinë dhe është e pritshme të adoptojnë një qasje më të kujdesshme ndaj sektorit privat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes