Union Bank regjistroi për 2019 një nga vitet më të mirë në historinë e vet 15 vjeçare. Banka e dytë më e madhe me kapital shqiptar shënoi një rritje të aseteve me 28%, më e larta në sistemin bankar për vitin e kaluar.
Rritja erdhi kryesisht falë blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare, por edhe falë vijimësisë së rritjes organike të Union Bank.
Mbështetur në të dhënat e paaudituara financiare, Union Bank arriti gjithashtu edhe fitimin më të lartë historik, me pothuajse 800 milionë lekë neto. Me këtë shifër, Union Bank siguroi një kthim nga kapitali në nivelin 17.71%, duke qenë kështu banka e dytë më fitimprurëse në Shqipëri për vitin e kaluar, pas OTP Bank Albania.
Union Bank është padyshim një nga bankat që arritën të përfitonin nga hapësirat e krijuara në tregun bankar gjatë viteve të krizës, duke me një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Në fund të vitit të kaluar, Union Bank zotëronte 4.4% të aktiveve të tregut bankar shqiptar, duke u renditur në vendin e nëntë nga 12 bankat aktive në treg.
Union Bank finalizoi vitin e kaluar blerjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare, për 9.55 milionë dollarë amerikanë. Ish-banka malajziane i solli rreth 10 miliardë lekë asete, që kontribuan ndjeshëm në rritjen e përmasave të Union Bank pas shkrirjes mes dy bankave, në fund të tremujorit III 2019.
Union Bank ka një strukturë aktivesh të ekuilibruar mes ekspozimit tek sektori privat dhe ai publik. Portofoli i kredisë në fund të vitit të kaluar kishte vlerën e 28.6 miliardë lekëve, në rritje me 28% krahasuar me një vit më parë. Union Bank është huadhënësi i tetë më i madh i ekonomisë shqiptare, me 5.2% të huasë totalë dhënë nga sistemi bankar.
Ndërkohë, investimet në titujt e qeverisë shqiptare arritën në rreth 22.8 miliardë lekë dhe përbëjnë rreth 35% të aktiveve totale të bankës.
Në fillim të këtij viti, Union Bank ndërpreu pas 15 vjetësh marrëdhënien me drejtorin e përgjithshëm që nga themelimi, Gazmend Kadriu, i cili u zëvendësua nga Flutura Veipi, ish-drejtore ekzekutive e ProCredit Bank.
Treguesit kryesorë të Union Bank për vitin 2019
Totali i aktiveve | 65.8 miliardë lekë |
Portofoli i kredisë | 28.6 miliardë lekë |
Portofoli i titujve | 22.8 miliardë lekë |
Totali i depozitave | 55.7 miliardë lekë |
Kapitali aksioner | 5.3 miliardë lekë |
Fitimi neto | 797 milionë lekë |
Kthimi nga kapitali (ROE) | 17.71% |
Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të Union Bank