Tirana Bank ishte ndër bankat që vuajtën më shumë krizën e dekadës së shkuar. Keqmenaxhimi dhe ekspozimi i lartë në projekte të dështuara solli një raport shumë të lartë të kredive me probleme, sidomos në segmentin e korporatave.
Kjo çoi në një rritje të kredive me probleme deri në 50% dhe një proces të gjatë dizintoksikimi, i orientuar kryesisht në menaxhimin e huave ekzistuese dhe në uljen graduale të përmasave të bankës.
Procesi kulmoi me shitjen e aksioneve nga Grupi Bankar i Pireut te grupi shqiptar Balfin, që bleu paketën kontrolluese të aksioneve për 57.3 milionë euro, në partneritet edhe me bankën maqedonase Komercijalna Banka, si aksioner pakice.
Viti i parë në pronësi të grupi Balfin ka rikthyer rritjen në ciklin e biznesit të Tirana Bank. Në fund të vitit të kaluar, totali i aktiveve arriti në 76.2 miliardë lekë, në rritje me 4% krahasuar me vitin 2018. Tirana Bank mban 5.1% të tregut bankar shqiptar dhe renditet e tetë për nga madhësia, duke qenë megjithatë shumë afër Alpha Bank dhe ABI Bank që qëndrojnë përpara.
Tirana Bank është kthyer shumë aktive në huadhënie, madje ishte banka me rritjen më të lartë të kreditimit për vitin e kaluar. Portofoli i kredisë arriti vlerën e 31 miliardë lekëve, 48% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Zmadhimi i portofolit të huasë me mbi 10 miliardë lekë në një vit u mbështet sidomos nga një zgjerim i ndjeshëm në segmentin e kredive korporative, pikërisht ai që e pati “zhytur” bankën pas shpërthimit të krizës së vitit 2008.
Rritja e fortë e kreditimit vitin e kaluar shpjegohet pjesërisht me faktin se Tirana Bank kishte rezerva të konsiderueshme në treguesit e kapitalizimit dhe likuiditetit. Duke qenë pjesë e një grupi bankar grek, deri vitin e kaluar Tirana Bank ishte subjekt i kërkesave më të larta rregullatore nga Banka e Shqipërisë.
Këto kërkesa ishin vendosur në periudhën e shpërthimit të krizës financiare në Greqi, sepse rreziku për bankat me kapital grek vlerësohej më i lartë. Me blerjen nga grupi Balfin, kërkesat shtesë nuk ishin më të vlefshme dhe Tirana Bank i shfrytëzoi resurset e çliruara për të rritur huadhënien për sektorin privat, por edhe investimet në titujt e qeverisë shqiptare.
Viti i shkuar solli edhe një përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar. Pas kishte humbur 1.3 miliardë lekë në vitin 2018, Tirana Bank e mbylli bilancin e vitit financiar 2019 me një fitim prej rreth 400 milionë lekësh dhe me një kthim modest nga kapitali, në nivelin 3.57%.