6 Prill

0 komente

Bankat në 2019: Raiffeisen, pjesa e tregut dhe fitimet janë në rënie

Autor Ersuin Shehu

6 Prill, 2020


Raiffeisen Bank është padyshim një nga bankat që u ridimensionuan ndjeshëm nga kriza që nisi në vitin 2008. Për shkak të përkeqësimit të cilësisë së aktiveve dhe rritjes së kërkesave rregullatore, grupi vienez vendosi të zvogëlonte gradualisht përmasat e aktivitetit në shumë vende të lindjes, përfshi këtu Shqipërinë.

Në vitet e fundit, Raiffeisen Bank – Shqipëri e ka frenuar rënien dhe po tenton të lëvizë drejt një cikli të ri të rritjes së kreditimit; por, në kushtet kur konkurrentët po ecin më shpejt, pjesa e tregut të Raiffeisen vazhdon të bjerë.

Sipas të dhënave të paaudituara, Raiffeisen në fund të vitit 2019 zotëronte aktive totale në vlerën e 223 miliardë lekëve, me një rritje të papërfillshme krahasuar me vitin 2018. Por, pjesa e tregut ka rënë dukshëm në 15%, nga 15.7% që zotëronte një vit më parë.

Raiffeisen i është kthyer një qasjeje më aktive në huadhënie dhe portofoli i kredisë në fund të vitit të kaluar arriti në afro 95 miliardë lekë, 9% më shumë krahasuar me vitin 2018. Me 17.2% të portofolit të kredisë për ekonominë ka kaluar BKT-në dhe është tani banka e dytë më e madhe kredituese në sistemin bankar.

Paralelisht, Raiffeisen ka vijuar uljen e ekspozimit në tituj. Portofoli i bonove dhe obligacioneve ka rënë në 64 miliardë lekë, 15% më pak krahasuar me një vit më parë.

Raiffeisen ngelet gjithashtu banka e dytë më e madhe depozituese e kursimeve të shqiptarëve, megjithëse depozitat pësuan një rënie të lehtë vitin e kaluar. Depozitat e publikut në Raiffeisen kishin vlerën e 191.5 miliardë lekëve.

Banka me kapital austriak është ende ndër institucionet financiare që fitojnë më shumë në Shqipëri, por për 2019 fitimet ranë me 18% krahasuar me një vit më parë. Fitimi neto i Raiffeisen Bank – Shqipëri për vitin e kaluar ishte rreth 2.8 miliardë lekë, duke u renditur e dyta pas BKT. Në terma të kthimit nga kapitali, Raiffeisen raportoi një përfitueshmëri në nivelin 10.62%, duke u renditur e pesta në sistemin bankar shqiptar.

Megjithëse prej vitesh Raiffeisen e ka humbur titullin e bankës më të madhe në Shqipëri, ajo vazhdon të jetë banka me numrin më të madh të degëve dhe punëdhënësi më i madh në sistemin bankar shqiptar. Në fund të vitit 2019, Raiffeisen numëronte 76 degë dhe 1300 punonjës.

Treguesit kryesorë të Raiffeisen Bank për vitin 2019

Totali i aktiveve223.4 miliardë lekë
Portofoli i kredisë94.9 miliardë lekë
Portofoli i titujve64 miliardë lekë
Totali i depozitave191.5 miliardë lekë
Kapitali aksioner27.9 miliardë lekë
Fitimi neto2.77 miliardë lekë
Kthimi nga kapitali (ROE)10.62%

Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të Raiffeisen Bank – Shqipëri

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes