ProCredit Bank ka qenë një nga zhgënjimet e dekadës së fundit në sistemin bankar. Deri në prag të krizës, ProCredit ishte një bankë e pozicionuar mirë në treg, me fokus sidomos në segmente të veçanta të tregut, si ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe te bujqësia. Por, pasi sistemi u prek nga kriza, ProCredit hyri në një cikël stanjacioni që vazhdon edhe sot.
Përmasa e bankës qëndroi e pandryshuar në vlerën e rreth 32 miliardë lekëve, ndërsa pjesa e tregut ra më tej në 2.1%, nga 2.3% që kishte qenë një vit më parë. ProCredit është banka e dhjetë më e madhe në Shqipëri, por me një tendencë të qartë rënëse dhe shumë shpejt pritet t’ia lërë këtë pozicion ndjekësve aktivë të Fibank.
Portofoli i kredisë në fund të vitit 2019 kishte vlerën e 22.2 miliardë lekëve, me një rënie të lehtë nga viti 2018.
ProCredit ishte e vetmja bankë që e mbylli vitin 2019 me rezultat financiar me humbje. Mbështetur në pasqyrat e paaudituara financiare, humbja e vtiti të kaluar arriti në 791 milionë lekë, në rritje të mëtejshme me 9% krahasuar me vitin 2018. Ky ishte viti i tretë radhazi me humbje për bankën me kapital gjerman.
Pas krizës, ProCredit ka ndjekur një strategji pothuajse unike në tregun bankar shqiptar, duke reduktuar në minimum rrjetin e degëve. ProCredit Bank ka numrin më të ulët të degëve mes bankave shqiptare, me vetëm pesë të tilla.
Kjo strategji ka synuar zhvendosjen masive të shërbimeve drejt kanaleve dixhitale dhe automatike, me qëllim uljen e shpenzimeve të stafit dhe atyre operacionale. Po të shohim shifrat, rezultatet deri tani nuk duket se e mbështesin zgjedhjen për të shkuar kaq larg me automatizimin e shërbimeve bankare.
Treguesit kryesorë të ProCredit Bank
Totali i aktiveve | 32 miliardë lekë |
Portofoli i kredisë | 22.2 miliardë lekë |
Portofoli i titujve | 2.3 miliardë lekë |
Totali i depozitave | 21.5 miliardë lekë |
Kapitali aksioner | 3 miliardë lekë |
Humbja neto | 792 milionë lekë |
Kthimi nga kapitali (ROE) | -22.63% |
Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të ProCredit Bank