Viti i parë në ombrellën e grupit hungarez ka qenë mjaft i mbarë për OTP Bank Albania. Qysh në vitin 2019, blerësit hungarezë kanë marrë përfitueshmërinë më të lartë në historinë e bankës, në vlerë absolute dhe e matur si kthim nga kapitali aksioner.
Vitin e kaluar, rezultati financiar neto i bankës ishte pozitiv në vlerën e 1.4 miliardë lekëve. Ndërsa kthimi nga kapitali ishte 19.04%, më i larti për sistemin bankar shqiptar. Po të shohim shifrat, blerja bankës shqiptare ka rezultuar një pazar i mirë për grupin hungarez OTP.
Besohet se ish-banka Societe Generale Albania u ble për rreth 32 milionë euro, çmim i ulët duke pasur parasysh pjesën e tregut dhe gjendjen përgjithësisht të shëndetshme financiare të bankës. Shitja u bë pa garë, por me negociata ekskluzive, si pjesë e marrëveshjes sipas të cilës OTP bleu pjesën më të madhe të bankave të grupit Societe Generale në Europën Juglindore.
OTP Bank Albania vijoi rritjen edhe vitin e kaluar dhe në 31 dhjetor raportonte aktive në vlerën e rreth 91 miliardë lekëve. OTP mban tashmë 6.1% të aseteve të sistemit bankar shqiptar dhe është banka e pestë për nga madhësia.
OTP ngelet kryesisht e orientuar drejt financimit të sektorit privat. Portofoli i kredisë preku vlerën e 53 miliardë lekëve, në rritje me 13% krahasuar me vitin 2018. OTP është huadhënësi i katërt më i madh në ekonominë shqiptare, pas Credins, Raiffeisen dhe BKT.
Treguesit kryesorë të OTP Bank Albania për vitin 2019
Totali i aktiveve | 90.8 miliardë lekë |
Portofoli i kredisë | 53 miliardë lekë |
Portofoli i titujve | 22.4 miliardë lekë |
Totali i depozitave | 80 miliardë lekë |
Kapitali aksioner | 9.1 miliardë lekë |
Fitimi neto | 1.4 miliardë lekë |
Kthimi nga kapitali (ROE) | 19.04% |
Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të OTP Bank Albania
www.sfidabiznesi.net