Intesa Sanpaolo Bank Albania përmirësoi ndjeshëm fitimet vitin e kaluar, duke lënë pas efektet e absorbimit të faturës së bashkimit me Veneto Banka, që kishin ndikuar ndjeshëm rezultatin e vitit 2018.
Mbështetur në pasqyrat e paaudituara financiare të Intesa Sanpaolo, për vitin e kaluar banka regjistroi një fitim neto në vlerën e 1.7 miliardë lekëve, katër herë më shumë krahasuar me vitin 2018. Me këtë rezultat, Intesa Sanpaolo është kthyer pranë linjës së vet historike të përfitueshmërisë.
Megjithatë, kthimi nga kapitali ngelet në nivele njëshifrore, me 8.47%, çka lidhet edhe me faktin që Intesa Sanpaolo ka një nivel të lartë kapitalizimi.
Grupi italian ka preferuar të mbajë kapitalizim të lartë, me qëllim garantimin e soliditetit të bankës gjatë periudhës së trazuar të krizës. Në dhjetor 2019, kapitali aksioner (përfshi rezervat, primet e aksioneve dhe fitimet e pashpërndara) ishte 21.6 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e portofolit të kredisë. Ndërsa në fund të shtatorit 2019, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 22.2%, nga 12% që është kërkesa bazë e Bankës së Shqipërisë.
Intesa Sanpaolo Bank Albania edhe vitin e kaluar ndoqi një strategji të kthimit të kujdesshëm drejt rritjes. Totali i aktiveve të bankës arriti vlerën e 183 miliardë lekëve, në rritje me rreth 3% krahasuar me fundin e vitit 2018. Aktualisht Intesa Sanpaolo mban 12.3% të tregut dhe është banka e katërt më e madhe në Shqipëri.
Po të shohim strukturën e bilancit, Intesa Sanpaolo është një ndër bankat me peshën më të ulët të kredive për sektorin privat ndaj totalit të aktiveve. Kjo tregon se banka në vitet e fundit nuk ka marrë përsipër shumë rrezik dhe ka preferuar të investojë në instrumente me risk të ulët, kryesisht instrumente borxhi të qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, Intesa Sanpaolo ka raportin më të lartë të vendosjeve në banka kundrejt totalit të aktiveve. Kjo lidhet kryesisht me zotërimin e një sasie të mëdha të papërdorura të depozitave në valutë të huaj.
Intesa Sanpaolo ka një peshë të lartë të depozitave në euro kundrejt totalit të pasiveve. Për shkak të profilit të ulët të rrezikut të zgjedhur nga banka, por edhe vështirësive objektive për të rritur huadhënien në valutë të huaj, këto fonde mbahen kryesisht të vendosura në banka të tjera.
Portofoli i kredisë në fund të vitit të kaluar kishte vlerën e rreth 45 miliardë lekëve, në rritje të lehtë me 2% krahasuar me një vit më parë. Intesa Sanpaolo është huadhënësi i pestë më i madh në Shqipëri, me rreth 8% të tregut të kredisë bankare.
Treguesit kryesorë të Intesa Sanpaolo Bank Albania për vitin 2019
Totali i aktiveve | 183 miliardë lekë |
Portofoli i kredisë | 44.8 miliardë lekë |
Portofoli i titujve | 67.2 miliardë lekë |
Totali i depozitave | 153.2 miliardë lekë |
Kapitali aksioner | 21.6 miliardë lekë |
Fitimi neto | 1.7 miliardë lekë |
Kthimi nga kapitali (ROE) | 8.47% |
Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të ISBA