First Investment Bank (Fibank) në vitet e fundit është rreshtuar në grupin e bankave që përfituan nga kriza për të zgjeruar praninë e tyre në treg. Banka me kapital bullgar ka gërshetuar ritme të larta të rritjes së biznesit me ambicien për t’u zgjeruar përmes blerjeve.
Qëllimi për të shfrytëzuar “okazionin” e bankave në shitje gjatë ristrukturimit të sistemit nuk rezultoi i suksesshëm: pavarësisht se mori pjesë në garën për blerjen e Credit Agricole Albania, NBG Bank dhe Tirana Bank, Fibank nuk arriti të blinte asnjërën prej tyre (ndonëse në rastin e NBG Bank iu afrua shumë objektivit).
Por, nëse “pazari” nuk ishte shumë fatlum, rritja organike e Fibank vijoi me ritme të larta edhe për vitin 2019. Totali i aktiveve të bankës arriti në 31.7 miliardë lekë, në rritje me afërsisht 29% krahasuar me vitin 2018.
Fibank është banka me rritjen më të madhe të bilancit pa blerje të aseteve të bankave të tjera dhe zotëron një pjesë tregu prej 2.1%, çka e klasifikon tashmë si bankë të përmasave të mesme, sipas kritereve të Bankës së Shqipërisë.
Themeli i biznesit të Fibank ngelet huadhënia për sektorin privat, që përbën 46% të totalit të aktiveve. Portofoli i kredisë vitin e kaluar arriti në 14.7 miliardë lekë, 26% më shumë krahasuar me vitin 2018.
Rritja e Fibank është mbështetur sidomos nga një zgjerim i lartë i depozitave të publikut, që arritën në 26.6 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 28% krahasuar me një vit më parë. Fibank duket se po merr rezultate nga zgjerimi i rrjetit të degëve, për t’u forcuar në tregun retail. Në dy vitet e fundit, Fibank ka hapur katër degë të reja dhe tashmë numëron 14 të tilla.
Gjithashtu, vitin e kaluar banka bullgare fitoi edhe një klient të rëndësishëm: operatorin e dytë më të madh të komunikimeve celulare, Telekom Albania. Vetë blerja e Telekom Albania prej biznesmenëve Spas Rusev dhe Elvin Guri u financua në pjesën më të madhe me një kredi të dhënë nga banka mëmë e Fibank Albania, First Investment Bank në Bullgari.
Viti 2019 ishte gjithashtu pozitiv edhe në drejtim të performancës financiare, me një fitim neto prej 482 milionë lekësh, 20% më shumë krahasuar me vitin 2018. Me një kthim nga kapitali në nivelin 15.12%, Fibank u rendit banka e tretë më fitimprurëse, pas OTP Bank dhe Union Bank.
Treguesit kryesorë të Fibank
Totali i aktiveve | 31.7 miliardë lekë |
Portofoli i kredisë | 14.7 miliardë lekë |
Portofoli i titujve | 9.2 miliardë lekë |
Totali i depozitave | 26.6 miliardë lekë |
Kapitali aksioner | 3.5 miliardë lekë |
Fitimi neto | 482 milionë lekë |
Kthimi nga kapitali (ROE) | 15.12% |
Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të Fibank