7 Prill

0 komente

Bankat në 2019: Credins është huadhënësi më i madh në ekonomi

Autor Ersuin Shehu

7 Prill, 2020


Credins Bank mbylli një tjetër vit me rritje të shpejtë, duke u afruar gjithnjë e më shumë pranë të qenit banka e dytë më e madhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Credins Bank zotëronte asete totale në vlerën prej 221 miliardë lekësh, me një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë. Credins Bank mban tashmë 14.8% të tregut sipas totalit të aktiveve, duke qenë më afër se kurrë vendit të dytë, që mbahet nga Raiffeisen Bank, me 15%.

Credins është tani bindshëm edhe banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare. Portofoli neto i kredisë në fund të vitit 2019 arriti në afro 103 miliardë lekë, në rritje vjetore me 9%. Credins zotëron 18.6% të portofolit të kredisë së dhënë nga bankat tregtare shqiptare.

Pavarësisht vijimësisë zgjerimit të kredisë, në vitet e fundit Credins e ka mbështetur zmadhimin kryesisht te një rritje e shpejtë e investimeve në tituj. Në fund të vitit të kaluar, portofoli i bonove dhe obligacioneve arriti në 67 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 50% krahasuar me një vit më parë.

Credins në vitet e fundit ka ndjekur një strategji të diversifikimit të portofolit të investimeve, duke rritur ndjeshëm vlerën e aseteve me rrezik të ulët në bilancin e bankës.

Banka më e madhe me kapital shqiptar regjistroi gjithashtu një rritje mjaft të lartë të depozitave, që arritën vlerën e 189 miliardë lekëve, 13% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2018. Rritja e shpejtë e depozitave ngelet leva kryesore për të mbështetur zgjerimin e Credins Bank dhe rritjen e peshës së saj në tregun bankar.

Për vitin 2019, Credins regjistroi gjtihashtu një rritje të ndjeshme të fitimeve. Rezultati financiar neto arriti në rreth një miliardë lekë, në rritje me më shumë se dy herë krahasuar me vitin 2018. Sidoqoftë, përfitueshmëria e Credins ngelet e ulët krahasuar me bankat e tjera të mëdha të sistemit. Kthimi nga kapitali për vitin 2019 ishte 6.22%.

Treguesit kryesorë të Credins Bank për vitin 2019

Totali i aktiveve221.1 miliardë lekë
Portofoli i kredisë102.7 miliardë lekë
Portofoli i titujve67 miliardë lekë
Totali i depozitave189.1 miliardë lekë
Kapitali aksioner17.6 miliardë lekë
Fitimi neto1 miliardë lekë
Kthimi nga kapitali (ROE)6.22%

Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të Credins Bank

www.sfidabiznesi.net

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes