18 Prill

0 komente

Bankat në 2019: Çfarë i ka sjellë tregut ABI Bank, veç blerjeve? Zero rritje për vitin e kaluar.

Autor Ersuin Shehu

18 Prill, 2020


Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) ishte aktori i parë që hyri në tregun bankar shqiptar pas krizës financiare. NCH Capital erdhi si një investitor që synon të përfitojë nga oportunitetet e krizës, për të blerë lirë dhe për të shfrytëzuar hapësirat e reja të krijuara në tregun bankar.

Por, pesë vjet pasi bleu ish-bankën Credit Agricole Albania, ende nuk është shumë e qartë se çfarë është në gjendje të bëjë ABI Bank dhe çfarë vlere të shtuar mund t’i sjellë tregut bankar shqiptar.

ABI e ka provuar veten si një investitor oportunist për të blerë në momentin e duhur. Pas Credit Agricole, në vitin 2018 ABI bëri “bis”, duke blerë edhe degën e Bankës Kombëtare të Greqisë në Shqipëri. Po në vitin 2018, ABI u bë pjesë e garës për blerjen e Tirana Bank, por këtë herë humbi përballë ofertës së Balfin Group të Samir Manes.

Por, përtej strategjisë agresive të blerjeve, ABI Bank nuk po e provon veten një aktor me synimin apo aftësinë për të arritur një rritje organike të biznesit. Në fund të vitit 2019, ABI Bank zotëronte aktive totale në vlerën e 77.8 miliardë lekëve, pothuajse në të njëjtën vlerë me fundin e vitit 2018. ABI bank zotëron 5.2% tregut dhe është banka e shtatë më e madhe në Shqipëri.

Portofoli i kredisë së ABI Bank ka ngelur në vend-numëro, pak më poshtë vlerës së 25 miliardë lekëve ose afërsisht 200 milionë eurove. Pjesa më e madhe e këtij portofoli u shtua në bilanc gjatë vitit 2018, pas përthithjes së NBG Bank.

Zëri kryer në bilanc ngelen investimet në letra të borxhit të qeverisë shqiptare. Në fund të vitit 2019, vlera e titujve qeveritarë të zotëruar nga ABI Bank ishte afërsisht 32 miliardë lekë ose sa 41% e aseteve totale të bankës.

Mbështetur në treguesit kryesorë të bilancit, mund të kuptojmë se ABI Bank për momentin vazhdon të ruajë një profil biznesi me rrezik të ulët, të orientuar më shumë te financimi i borxhit publik, sesa te sektori privat i ekonomisë. Për disa aktorë të tregut, kjo strategji po rezulton gjithsesi e mjaftueshme për të ruajtur një përfitueshmëri të kënaqshme.

Deri tani, Andi Ballta dhe ortakët e tij të NCH Capital duken të kënaqur me këtë strategji, që iu ka siguruar një rezultat financiar me fitim për të katërtin vit radhazi.

ABI Bank raportoi për vitin 2019 fitime neto në vlerën e 748 milionë lekëve. Kthimi nga kapitali ishte 8.32%, rezultat i kënaqshëm, po të kemi parasysh se ABI ka zgjedhur të mos marrë përsipër shumë rrezik.

Treguesit kryesorë të Bankës Amerikane të Investimeve për vitin 2019

Totali i aktiveve77.8 miliardë lekë
Portofoli i kredisë24.8 miliardë lekë
Portofoli i titujve31.8 miliardë lekë
Totali i depozitave65.1 miliardë lekë
Kapitali aksioner9.6 miliardë lekë
Fitimi neto748 milionë lekë
Kthimi nga kapitali (ROE)8.32%

Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të ABI Bank

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes