Kriza financiare e tkurri ndjeshëm praninë e investitorëve grekë në tregun bankar shqiptar. Grupi Bankar i Pireut dhe Banka Kombëtare e Greqisë vendosën t’i shisnin filialet e tyre në Shqipëri, si pjesë e planeve të ristrukturimit dhe e vetmja bankë me kapital grek e mbetur në Shqipëri është Alpha Bank.
Ashtu si bankat e tjera, Alpha Bank e ka kaluar tashmë momentin më të vështirë dhe aktiviteti i bankës paraqitet më i qëndrueshëm. Pas gjashtë vitesh radhazi me humbje, banka vitin e kaluar arriti më në fund një rezultat financiar pozitiv, me një fitim neto prej 205 milionë lekësh.
Megjithatë, Alpha Bank është ende larg të nisurit një cikël të ri të rritjes aktive të biznesit. Mbështetur në pasqyrat e paaudituara financiare të vitit 2019, Alpha Bank raportonte aktive totale në vlerën e 78.4 miliardë lekëve dhe zotëronte 5.3% të tregut bankar shqiptar. Përmasa e bankës u rrit lehtë me 1.7% krahasuar me vitin 2018, por pjesa e saj e tregut pësoi rënie të lehtë me rreth 0.2 pikë përqindje.
Alpha Bank është banka e gjashtë më e madhe në Shqipëri, me një epërsi të lehtë mbi ABI Bank dhe Tirana Bank dhe njëkohësisht është banka e gjashtë më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare. Portofoli i kredisë në fund të vitit të kaluar kishte vlerën e 35 miliardë lekë, me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2018. Ashtu si shumica e bankave të sistemit, vitet e fundit Alpha Bank po tenton të zgjerojë biznesin në segmentin retail, me qëllim uljen e përqëndrimit të rrezikut të kredisë. Kredia dominon strukturën e aktiveve me rreth 45% të totalit.
Pas kredisë, zërat kryesorë në bilanc janë investimet në tituj, me rreth 17 miliardë lekë dhe vendosjet në bankat e tjera, me 14 miliardë lekë.
Në krahun e detyrimeve, Alpha Bank ka arritur rezultate më të mira, duke zgjeruar depozitat me katër miliardë lekë ose rreth 6.5% krahasuar me vitin 2018
Treguesit kryesorë të Alpha Bank Albania për vitin 2019
Totali i aktiveve | 78.4 miliardë lekë |
Portofoli i kredisë | 35.1 miliardë lekë |
Portofoli i titujve | 17.5 miliardë lekë |
Totali i depozitave | 65.3 miliardë lekë |
Kapitali aksioner | 9.1 miliardë lekë |
Fitimi neto | 205 milionë lekë |
Kthimi nga kapitali (ROE) | 2.3% |
Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të Alpha Bank Albania