20 Prill

0 komente

Bankat me kapital shqiptar pranojnë 94% të aplikimeve për kredi, ato të huaja vetëm 81%

Autor Ersuin Shehu

20 Prill, 2020

kryesore

Kërkesa për kredi bankare u rrit ndjeshëm në gjysmën e dytë të viti të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar mori pothuajse 64 mijë aplikime për kredi, në rritje me 36% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit. Rritja ka ardhur pothuajse e gjitha nga individët, ku kërkesa për kredi u rrit me 41%, ndërsa tek bizneset kërkesa ka qenë relativisht e qëndrueshme.

Paralelisht me rritjen e kërkesës, është rritur edhe përqindja e refuzimit të kredive nga bankat, që ka arritur në afërsisht 14%.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Që prej vitit 2017, përqindja e aplikimeve të refuzuara është në rritje, sidomos për individët. Rritja e kërkesës në këtë segment mund të ketë sjellë rrezikun për një mbingarkesë për borxh të familjeve, çka ka bërë që bankat të rrisin përqindjen e refuzimit të aplikimeve.

Pikërisht individët kanë edhe shkallën më të lartë të refuzimit të kërkesave për kredi, me 14.5%. Për bizneset shkalla e refuzimit është ndjeshëm më e ulët, përkatësisht me 4% për ndërmarrjet e mëdha dhe me 6.3% për bizneset e vogla dhe të mesme. Por, duke qenë se kërkesa për kredi nga individët dominon numrin e aplikimeve totale, me rreth 93%, është e kuptueshme që përqindja e lartë e refuzimeve në këtë segment ndikon më shumë mesataren e këtij treguesi për sistemin bankar.

Megjithatë, qasja e bankave ndaj kreditimit ngelet e ndryshme dhe diferencat në shkallën e refuzimit janë të mëdha. Bankat me kapital shqiptar duket se kanë një qasje shumë aktive në kreditim dhe pranojnë rreth 94% të aplikimeve për kredi, ndërsa bankat me kapital të huaj pranojën afërsisht 81% të aplikimeve.

Këtu mund të ndikojë edhe fakt që bankat me kapital të huaj kanë një pjesë më të madhe tregu dhe një numër më të madh aplikimesh; por, po të shohim ecurinë e portofolit të kredisë në vitet e fundit, është fakt se bankat me kapital vendas kanë shfaqur më shumë oreks për rrezik dhe prirje për të rritur pjesën e tyre të tregut.

Pas ristrukturimit të viteve të fundit, pesha e kapitalit shqiptar në sistemin banar është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në 29.5%. Këtu përfshihet edhe ABI Bank, që zyrtarisht klasifikohet si bankë shqiptare, sepse aksioneri që e kontrollon direkt, kompania Tranzit, është shoqëri e regjistruar në Shqipëri.

Pa llogaritur ABI Bank, tre bankat e tjera ku kapitali shqiptar është realisht mbizotërues, Credins Bank, Tirana Bank dhe Union Bank, zotërojnë 24.3% të aseteve totale të tregut bankar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes