3 Mars

0 komente

Bankat, këtë vit nis “vettingu” i aksionerëve

Autor Ersuin Shehu

3 Mars, 2020


Duke filluar nga ky vit, bankat duhet të bëjnë një rivlerësim periodik të përshtatshmërisë së aksionerëve të tyre. Rivlerësimi do të bëhet në përputhje me rregulloren e re “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja”, që hyri në fuqi vitin e kaluar.

Me këtë rregullore, Banka e Shqipërisë ka shtrënguar më tej ndjeshëm kontrollet mbi aksionerët dhe origjinën e kapitalit të bankave tregtare.

Aksionerët e shoqërive që aplikojnë për t’u licencuar si banka në Shqipëri, veç informacionin për burimin e të ardhurave të tyre, duhet të japin informacion mbi lidhje familjare apo marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi, me persona që janë dënuar për kryerjen e veprave penale me vendim të formës së prerë.

Ky është një format i ngjashëm me njërën nga shtyllat e vettingut, që po ndiqet për gjyqtarët dhe prokurorët.

Në rast se Banka e Shqipërisë konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se struktura e kapitalit apo burimi i tij lidhet me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale, njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pezullon procedure e licencimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit.

Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe kur Banka e Shqipërisë konstaton, apo ka dyshime të arsyeshme se struktura e kapitalit apo burimi i tij lidhet me me kompani të regjistruara në parajsa fiskale: licencimi pezullohet deri në marrjen e  informacionit nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Në rregulloren e re, Banka e Shqipërisë i rezervon vetes të drejtën për të refuzuar dhënien e licencës kur gjykon se aksionerët e bankës së propozuar paraqesin rrezik të lartë, ose kur banka aplikuese apo aksionerët e saj, kanë një strukturë komplekse të pronësisë, që e bën të vështirë verifikimin e plotë të kontrollit mbi aksionet apo të burimeve të kapitalit.

Licencimi do të refuzohet në të gjitha rastet kur aksionerët e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të bankës së propozuar janë aksionerë përfaqësues, si edhe kur aksioneri i propozuar i bankës, është një bankë guaskë.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë mund të refuzojë aplikimin kur çmon se licencimi do të cenonte interesat e publikut.

Rregullat bazë për licencimin do të zbatohen në të njëjtën mënyrë edhe në rastet e aplikimit për ndryshimin e pronësisë mbi aksionet e bankave, në rastet kur bëhet fjalë për pjesëmarrje influencuese.

Parimet e mësipërme do të jenë në themel edhe të rivlerësimit të aksionerëve ekzistues, me qëllim shmangien e pranisë së kapitaleve me origjinë të dyshimtë brenda sistemit bankar.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes