20 Nëntor

0 komente

Bankat duan të raportojnë vetëm me IFRS

Autor Ersuin Shehu

20 Nëntor, 2019


Sistemi bankar shqiptar kërkon nga Banka e Shqipërisë heqjen e raportimit financiar me dy standarde. Më konkretisht, bankat duan që raportimi të bëhet vetëm sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS), ndërsa të eliminohet raportimi paralel sipas kërkesave të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë. Kjo kërkesë e bankave tregtare është përfshirë në platformën prej 10 pikash për rigjallërimin e kreditimit të ekonomisë.

Bankat argumentojnë se kalimi në standardin unik të raportimit, përveç konvergjences, eliminon diferencat në mënyrën e evidentimit dhe raportimit të veprimtarisë së kreditimit dhe të provigjionimit të rrezikut të kredisë, duke përmirësuar transparencën dhe duke e bërë më të lehtë analizën dhe vendimmarrjen e lidhur me këtë veprimtari.

Bankat operojnë aktualisht mbi një procedurë të dyfishtë. Raportimi sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) është edhe standardi ligjor i raportimit tatimor, i përcaktuar për këtë kategori biznesi në ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare. Gjithashtu, ky raportim është i domosdoshëm për konsolidimin financiar me grupin bankar zotërues, në rastet e bankave me kapital të huaj.

Nga ana tjetër, bankat vazhdojnë të raportojnë edhe sipas standardeve të mbikëqyrjes, të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.

Mes dy standardeve ekzistojnë ndryshime thelbësore, të lidhura sidomos me parimet e përllogaritjes së fondeve rezervë për humbjet nga huatë.

Standardet e mbikëqyrjes janë në thelb të ngurta dhe përcaktojnë se provigjionet llogariten vetëm mbështetur mbi vonesën kohore të shlyerjes së kredisë. Gjithashtu, këto standarde janë konservatore në njohjen e teknikave të zbutjes së rrezikut të kredisë, sidomos në masën e njohjes së kolateralit për këtë qëllim.

Standardet ndërkombëtare të raportimit financiar kanë një filozofi shumë më komplekse në llogaritjen e provigjioneve, që mbështetet kryesisht në analizën e gjendjes financiare të huamarrësit. Gjithashtu, standardet IFRS lejojnë edhe llogaritjen e kolateralit si mbulim për humbjet të mundshme nga kreditë. Banka nuk ka nevojë të provigjionojë një kredi e cila vlerësohet e mbuluar mjaftueshëm me një kolateral të sigurt dhe likuid.

Për shkak të parimeve të ndryshme të ndjekura në provigjionim, dy standardet rezultojnë me diferenca të konsidrueshme në shpenzimet për këtë qëllim dhe, rrjedhimisht, edhe në rezultatin financiar të bankave.

Gjithashtu, vlera e provigjioneve ka një ndikim të konsiderueshëm edhe në përmasën e portofolit të kredisë. Portofoli i kredisë paraqitet në terma neto, duke zbritur nga vlera bruto provigjionet e llogaritura. Një vlerë më e lartë provigjionesh zvogëlon madhësinë neto të portofolit të kredisë dhe totalin e aktiveve të bankës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes