Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi të pezullonte shpërndarjen e fitimeve të bankave tregtare deri në fund të muajit qershor 2020. Sipas vendimit, kjo masë përfshin të gjitha fitimet e akumuluara deri në fund të vitit financiar 2020, si edhe fitimet që do të realizohen në gjysmën e parë të këtij viti.
Kjo masë ka si qëllim kryesor garantimin e një kapitalizimi sa më të lartë të sistemit bankar, në kushtet kur epidemia e Covid 19 pritet të shkaktojë efekte negative në ekonminë e vendit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2019 sistemi bankar kishte një raport të mjatueshmërisë së kapitalit mjaft të lartë, në nivelin 18.3%. Pas muajit mars të këtij viti, pritet që kapitalizimi të jetë edhe më i lartë, për shkak të hyrjes në fuqi të shtesave makroprudenciale, që u miratuan nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar.
Mbështetur në të dhënat më të fundit, sistemi bankar shqiptar zotëronte një kapital aksioner prej afro 158 miliardë lekësh në fund të muajit shkurt të këtij viti. Fitimet e pashpërndara zënë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit aksioner.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e vitit 2019 dhe ato të mbartura në fund të vitit të kaluar kishin vlerën e 27 miliardë lekëve dhe përbënin 17.5% të strukturës totale të kapitalit aksioner të bankave.
Gjatë dekadës së fundit, shumica e bankave kanë ndjekur politika konservatore në shpërndarjen e fitimeve. Për një pjesë të bankave, mbajtja e fitimeve ka qenë e domosodshme për të balancuar humbjet e bartura gjatë viteve të krizës.
Ndërsa bankat që kanë ndjekur një strategji biznesi më aktive kanë zgjedhur të mos shpërndajnë fitime, për të rritur kapitalizimin dhe për të mbështetur rritjen e mëtejshme të bankës.
Kjo ka bërë që në tërësi sistemi bankar të ketë nivele kapitalizimi mjaft të larta, me një raport të mjatueshmërisë së kapitalit më shumë se 50% më të lartë se kërkesat minimale të Bankës së Shqipërisë.
Shtesat makroprudenciale ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.
Shtesa e parë, që po nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024.
Shtesa tjetër që ka hyrë në fuqi qysh këtë vit do të përfshijë vetëm një grup të veçantë bankash, ato me rëndësi sistemike. Banka e Shqipërisë ka klasifikuar si banka sistemike pesë bankat më të mëdha në vend, BKT, Raiffeisen, Credins Bank, Intesa Sanpaolo dhe OTP.