5 Prill

0 komente

Bankat në 2019: BKT zotëron 27% të tregut dhe fiton 5.4 miliardë lekë

Autor Ersuin Shehu

5 Prill, 2020


Banka Kombëtare Tregtare ishte aktori dominant në tregun bankar edhe për vitin 2019. Mbështetur në treguesit financiarë të paaudituar, BKT e mbylli vitin me një total aktivesh prej pothuajse 404 miliardë lekësh, duke mbajtur 27% të tregut bankar shqiptar, me diferencë të madhe nga bankat e tjera ndjekëse.

Krahasuar me vitin 2018, aktivet e BKT pësuan një rënie të lehtë, por kjo i detyrohet shkëputjes së degës së saj në Kosovë, që prej vitit 2019 u shndërrua nga degë e BKT-Shqipëri në bankë e ndarë.

Rritja e BKT-së edhe vitin e kaluar u mbështet kryesisht në investime në asete me rrezik të ulët. Për bankat që zotërojnë likuiditete të mëdha nga depozitat, si BKT, titujt qeveritarë ngelen një alternativë e favorshme investimi, sepse sigurojnë fitime të kënaqshme dhe nuk kanë kosto rreziku.

Portofoli i instrumenteve të borxhit, në pjesën dërrmuese të qeverisë shqiptare, në fund të vitit të kaluar kishte vlerën e 160 miliardë lekëve. Titujt përbëjnë grupin më të rëndësishëm të aseteve në bilancin e BKT, me 32% të totalit.

BKT është aktualisht financuesi më i madh i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Kjo siguron një bazë të konsiderueshme të ardhurash dhe kthime të leverdisshme, sidomos në segmentin e obligacioneve. Për më tepër, investimi në titujt qeveritarë nuk rëndon kapitalizimin e bankës, sepse këto asete ponderohen me koeficient 0% për efekt të llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit.

Portofoli neto i kredisë në fund të vitit 2019 kishte vlerën e 94 miliardë lekëve, në vlera të përafërta me fundin e vitit 2018. Tashmë BKT ka zbritur në vendin e tretë për nga vlera e portofolit të kredisë në systemin bankar shqiptar, e lënë mbrapa nga Credins Bank dhe nga Raiffeisen Bank.

Megjithatë, edhe viti 2019 rezultoi mjaft i begatë për nga fitimet. BKT e mbylli vitin me një rezultat financiar pozitiv në vlerën e 5.4 miliardë lekëve ose afërsisht 44 milionë euro. Në vlerë absolute, BKT edhe për vitin e kaluar siguroi fitimin më të madh në sistemin bankar shqiptar.

Megjithatë, në terma të përfitueshmërisë relative, BKT siguroi një kthim nga kapitali në nivelin 11.9%, që përfaqëson vlerën e tretë më të lartë të regjistruar nga bankat shqiptare për vitin 2019.

Treguesit kryesorë të BKT për vitin 2019

Totali i aktiveve403.7 miliardë lekë
Portofoli i kredisë94 miliardë lekë
Portofoli i titujve159.5 miliardë lekë
Totali i depozitave315.7 miliardë lekë
Kapitali aksioner48.8 miliardë lekë
Fitimi neto5.39 miliardë lekë
Kthimi nga kapitali (ROE)11.93%

Burimi: Pasqyrat e paaudituara financiare të BKT

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes