7 Gusht

0 komente

Banka e Shqipërisë vendos parametër të ri rregullator, atë të levës financiare

Autor Ersuin Shehu

7 Gusht, 2020

kryesore

Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektrregulloren që do të vendosë një parametër të ri rregullator për bankat tregtare, raportin e levës financiare. Ky tregues llogaritet si raport mes kapitalit të nivelit të parë dhe ekspozimeve totale të bankës.

Sipas rregullores për kapitalin rregullator, kapitali i nivelit të parë përfshin kapitalin e paguar të bankës, primet e aksioneve, fitimet e periudhës dhe ato të pashpërndara, si edhe rezervat.

Raporti i levës financiare duhet të jetë të paktën 5.75%, si mbi baza individuale, ashtu edhe në nivel të konsoliduar për grupin financiar.

Rregullorja e re parashikohet të hyjë në fuqi në 1 qershor 2021 dhe është në vazhdën e forcimit të kërkesave rregullatore të kapitalizimit, për të siguruar që sistemi bankar të jetë sa më i mbrojtur ndaj goditjeve eventuale.

Një tjetër projektrregullore e propozuar së fundmi, ajo për mbikëqyrjen e konsoliduar, parashikon që raporti mes kapitalit bazë të nivelit të parë dhe aktiveve të ponderuara me rrrezik të rritet nga 4.5% në 6.75%, ndërsa raporti mes kapitalit të nivelit të parë dhe ekspozimeve me rrezik rritet nga 6% në 9%.

Ndërkohë, këtë vit hynë në fuqi shtesat e para makroprudenciale të kapitalit për bankat tregtare. Ato ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.

Shtesa e parë, që hyri në fuqi nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024. Shtesa tjetër që kanë hyrë në fuqi këtë vit  përfshijnë vetëm pesë bankat e klasifikuara me rëndësi sistemike.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, sipas statistikës më të fundit zyrtare dhe që i takon muajit mars, ishte në nivelin 19.1%, ndjeshëm më i lartë se kërkesa minimale prej 12%.

Shpërthimi i papritur i krizës së Covid-19 dëshmoi se është e rëndësishme që bankat të kenë nivele të mira kapitalizimi, për të përthithur humbjet në rast situatash të vështira. Deri tani, efekti i krizës në bilancet e bankave është i vështirë për t’u matur, edhe për shkak të pezullimit të kërkesave rregullatore për riklasifikim dhe provigjionim të kredive. Pas muajit shtator, kur masat e përkohshme të shfuqizohen, pritet një rritje e raportit të kredive me probleme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes