Siç pritej, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën uljen e normës bazë të interesit me 0.5 pikë pikë përqindje, duke e çuar në minimumin e ri historik prej 0.5%. Gjithashtu, interesi i kredisë njëditore për bankat u ul nga 1.9% në 0.9%. Guvernatori, Gent Sejko, tha se lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare u vendos për të ndihmuar ekonominë në përballimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia e Covid 19.
“Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes,” tha Sejko.
Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë po ndjek strategjinë e injektimit të pakufizuar të likuiditetit në systemin bankar, për të përmbushur plotësisht të gjithë nevojat e ekonomisë për para. Ai gjithashtu garantoi funksionimin normal të sistemeve të pagesave.
“Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë, si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht. Banka e Shqipërisë ka adoptuar strategjinë operacionale të injektimit të pakufizuar të likuiditetit në sektorin bankar. Ky sektor, dhe nëpërmjet tij bizneset, familjet dhe sektori publik, do të kenë mundësi të tërheqin pranë Bankës së Shqipërisë të gjithë likuiditetin e nevojshëm dhe të kërkuar prej tyre,” u shpreh ai.
Sejko tha se masat për të frenuar përphapjen e koronavirusit do të kenë një efekt negative në ekonomi, duke ulur shitjet e biznesit dhe të ardhurat e familjeve. Ai shtoi se minimizimi i pasojave do të kërkojë përpjekje serioze dhe të koordinuara, megjithatë ritheksoi mesazhin se pandemia i gjen të shëndetshëm ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.
Përmes Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës shprehu gatishmërinë për të përdour në vijim të gjithë instrumentet e mundshme, brenda hapësirave që i jep ligji. Kjo mund të përfshijë edhe adoptimin për herë të parë të masave jo konvencionale, të ngjashme me programet e lehtësimit sasior të ndjekura nga bankat e tjera qendrore.
Modeli më i zakonshëm mund të jetë një program i blerjeve të obligacioneve qeveritare në tregun dytësor, me qëllim injektimin e një sasie edhe më të madhe likuiditeti në tregun financiar. Megjithatë, skenari i zymtë që ka sjellë Covid 19 nuk përjashton më as financimin direkt të deficitit qeveritar, përmes blerjes së borxhit të ri pa interes ose me interesa simbolikë.