Siç kishte njoftuar sfidabiznesi.net më datë 26 qershor, Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe Banka e Shqipërisë kanë rënë dakord të krijojnë një linjë për marrëveshjet e riblerjes (Repo) për të siguruar likuiditet në euro për institucionet financiare shqiptare. Marrëveshja krijon një linjë emergjence për të trajtuar nevojat e mundshme për likuiditet në euro në rast të mosfunksionimit të tregut për shkak të goditjes së shkaktuar nga COVID-19.
Banka e Shqipërisë do të ketë mundësi të marrë hua nga BQE-ja deri në 400 milionë euro. Maturimi maksimal i çdo tërheqjeje do të jetë tri muaj. Linja e marrëveshjeve të riblerjes do të jetë në fuqi deri në fund të muajit qershor 2021, por mund të shtyhet sërish në kohë, në rast se gjykohet e nevojshme.
Sipas linjës për marrëveshjet e riblerjes (Repo), BQE-ja i ofron likuiditet në euro një banke qendrore të një vendi joanëtar të Eurozonës në këmbim të një kolaterali të përshtatshëm në monedhën euro.
Instrumenti financiar EUREP është konceptuar si një plan kontigjence, për t’u përdorur vetëm nëse paraqiten rrethana të paparashikuara negative për ekonomitë jashtë Eurozonës. Kjo është hera e parë që Banka e Shqipërisë merr akses në linjat e financimit të BQE-së.
Pikërisht për shkak të niveleve të larta të euroizimit, prej disa vitesh Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një strategji të rritjes së rezervës valutore të vendit, që tashmë ka arritur nivelin e 3.5 miliardë eurove ose afërsisht sa 26% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.