1 Korrik

0 komente

Banka e Shqipërisë shiti mbi 20 milionë euro për të frenuar rënien e lekut në muajin mars

Autor Ersuin Shehu

1 Korrik, 2020

kryesore

Banka e Shqipërisë shiti 20.4 milionë euro në fund të muajit mars për të ndalur zhvlerësimin e shpejtë të lekut kundrejt euros. Deklarata e ndërhyrjeve në tregun e parasë për tremujorin e parë të vitit konfirmon zyrtarisht ndërhyrjen e bankës qendrore për të stabilizuar kursin e këmbimit. Shpërthimi i epidemisë së Covid-19 shkaktoi një lloj paniku në tregun valutor dhe leku u nënçmua kundrejt euros me rreth 7% brenda pak javësh. Kjo bëri që në datat 27 dhe 30 mars Banka e Shqipërisë të ndërhynte dy herë në treg, duke shitur valutë për më shumë se 20 milionë euro.

Paralelisht, Banka e Shqipërisë po vijon edhe gjatë këtij viti programin e blerjes së euros, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Sipas kalendarit zyrtar, për këtë vit janë planifikuar 17 ankande. Në tremujorin e parë të vitit janë organizuar dy ankande, në të cilat janë blerë gjithsej 13.7 milionë euro. Kjo shumë është relativisht e ulët krahasuar me mesataren e blerjeve për këtë qëllim në vitet e fundit. Por, me sa duket kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të luhatjeve në kursin e këmbimit në muajin mars.

Për shkak të tendencës në rritje të kursit të këmbimit, me sa duket, Banka e Shqipërisë ka preferuar të mos ushtrojë trysni të mëtejshme përmes kërkesës për valutë. Për këtë arsye, në ankandin e datës 20 mars preferoi të blinte vetëm 4 milionë euro në raundin e parë të ankandit, pa përdorur opsionin e raundit të dytë, ku zakonisht blihen shumat më të mëdha.

Në ankandet e planifikuara për t’u zhvilluar gjatë vitit 2020 parashikimi i blerjeve në raundin e parë është për një shumë deri në 102 milionë euro. Megjithatë, shifra është indikative, sepse zakonisht në këto ankande zakonisht aplikohet edhe opsioni i blerjeve në një raund të dytë. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 154.6 milionë euro, në programin e ankandeve për nevojat e rezervës valutore.

Në fund të muajit maj, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 3.5 miliardë eurove. Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, kur ato mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.

Rritja graduale e rezervës valutore ka nisur që prej vitit 2013, me këshillimin e institucioneve ndërkombëtare, si një masë për të forcuar garancitë rreth stabilitetit financiar të vendit. Euorizimi i lartë i sistemit financiar, në teori, mund të krijojë nevoja për likuiditet në monedhën europiane dhe Banka e Shqipërisë synon që të jetë e përgatitur për një eventualitet të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes