Banka e Shqipërisë doli të hënën me një deklaratë zyrtare, ku pranoi se nuk ka vendosur asnjë moratorium apo ngrirje të pagesës së kredive.
Siç ishte bërë e ditur qysh ditën e premte nga portali sfidabiznesi.net, Banka e Shqipërisë sqaron se ajo vetëm ka marrë masa lehtësuese për bankat që do të mbështesin huamarrësit në vështirësi të përkohshme. Shtyrja e kredisë mund të bëhet vetëm me miratimin e huadhënësit, pasi secili kredimarrës i interesuar të paraqitet në bankë dhe të bëjë një aplikim të posaçëm për këtë qëllim.
“Do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kredititi) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse. Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situate, duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione,” thuhet në njoftimin zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë u nxitua të përcillte në rrugë jozyrtare për mediat lajmin e ngrirjes së të gjitha kredive për tre muaj. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, ky lajm u ushqye më tej nga disa intervista të Guvernatorit, Gent Sejko, që foli shprehimisht për moratorium ose shtyrje të kredive për një periudhë tremujore.
Gafa e Guvernatorit vendosi në pozitë të vështirë institucionet financiare në vend, pasi në publik u krijua ideja se askush nuk ishte i detyruar të paguante kredinë gjatë tre muajve të ardhshëm.
Mesazhi i gabuar mund do të shkaktonte një dëm të jashtëzakonshmë për bankat dhe institucionet financiare, dëm që mund të kishte përmasat e dhjetëra miliona eurove.
Në mbledhjen e datës 12 mars, Banka e Shqipërisë vendosi të ndryshonte rregulloret përkatëse për administrimin e rrezikut të kredisë për institucionet financiare të angazhuara në aktivitetin e huadhënies.
Ky vendim i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë merr në konsideratë faktin se nisur nga situata e krijuar, ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike apo pamundësia e lëvizjes së individëve, mund të përcjellë pasoja edhe në aftësinë paguese të tyre, duke krijuar vështirësi për shlyerjen e detyrimeve sidomos gjatë periudhës vijuese 3-mujore, kur pritet që shpërndarja e virusit të arrijë pikun e vet.
Ndryshimet në rregullore iu lejojnë institucioneve financiare të mos riklasifikojnë si kredi të këqija huatë e ristrukturuara për periudhën 13 mars-13 maj 2020.
Kjo nënkupton se institucionet financiare nuk duhet të llogarisin provigjione, ccka do të krijonte shpenzime dhe do të ndikonte në rezultatin financiar.
Ristrukturimi nëkupton se huamarrësit nuk do të ngarkohen penalitete dhe këstet e kredisë mund të shtyhen deri në tre muaj; megjithatë, duhet kuptuar nëse, me shtyrjen e principalit, bankat do të jenë të gatshme të falin edhe interesat për këtë periudhë tremujore.
Për mënyrën sesi funksionon sistemi bankar, kjo do të jetë shumë e vështirë, megjithatë ky aspekt pritet të qartësohet gjatë ditëve në vijim.
