Banka e Shqipërisë pritet të lejojë rritjen e kuotave të grupit Eurosig në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë (UBA). Kompania e sigurimeve Eurosig pati blerë në gusht 2019 9% të aksioneve të UBA-s, ndërsa në dhjetor kompania e Kadri Morinajt ka arritur në parim një marrëveshje me aksionerë të vegjël sauditë të bankës, për të edhe 5.9% të aksioneve.
Këtë herë, blerja do të bëhet përmes kompanisë tjetër të sigurimeve Insig, që kontrollohet 100% nga Eurosig. Por, për të blerë këtë paketë të dy dytë aksionesh, Eurosig do t’i duhet miratimi paraprak i Bankës së Shqipërisë, sepse me të tejkalohet kufiri prej 10% i kapitali aksioner, i parashikuar nga ligji “Për bankat” si pjesëmarrje influencuese.
Banka e Shqipërisë nuk pritet të pengojë rritjen e pjesëmarrjes së Eurosig deri në kufijtë e 15%, por i ka bërë të qartë investitorit se nuk do të lejojë një rritje të mëtejshme drejt marrjes së kontrollit të bankës.
Një pozicion të ngjashëm Banka e Shqipërisë pati mbajtur edhe dy vjet më parë, kur Eurosig hyri në garën për blerjen e degës së NBG Bank në Shqipëri.
Në muajin gusht 2019, Eurosig bleu 9% të aksioneve në UBA, për 115 milionë lekë ose rreth 950 mijë euro.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë është një bankë e themeluar qysh në vitin 1993, por pa arritur ndonjëherë të zërë një peshë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar. Sipas të dhënave të raportuara nga UBA, në shtator 2019 ajo zotëronte 0.6% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 8.9 miliardë lekësh.
Veprimtaria e saj mbështetet në parimet e bankingut islamik. Aksioneri kontrollues në UBA, me 77% të kuotave, është Banka Islamike për Zhvillim.
Në fund të vitit 2019, Eurosig dhe Insig zotëronin rreth 21% të tregut të sigurimeve të jo-jetës, sipas primeve të shkruara bruto. Megjithatë, në vitet e fundit këto dy kompani janë në konflikt ligjor me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, që e ka klasifikuar si të pamjaftueshëm nivelin e tyre të kapitalizimit.
Çështja ka përfunduar në gjykatën administrative, që në shkallën e parë të gjykimit i dha të drejtë Eurosig.