30 Mars

0 komente

Banka e Shqipërisë miraton shtesat e kapitalit të bankave sistemike për 2021

Autor Ersuin Shehu

30 Mars, 2020


Banka e Shqipërisë ka miratuar shtesat e kapitalit të bankave me rëndësi sistemike për vitin e ardhshëm. Mbështetur në urdhërin e Guvernatorit, tre bankat më të mëdha në vend duhet të shtojnë raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit me 1% nga viti 2021.

Këtu përfshihen Banka Kombëtare Tregtare, Banka Raiffeisen dhe Credins Bank. Banka e Shqipërisë ka përfshirë në bankat me rëndësi sistemike edhe OTP Albania. Banka me kapital hungarez dhe Intesa Sanpaolo që nga viti i ardhshëm duhet të rrisin raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit me 0.5 pikë përqindje.

Vitin e ardhshëm do të vijojë edhe rritja e shtesës konservuese të kapitalit, që do të arrijë në 1%, nga niveli 0.5% që aplikohet prej këtij viti. Shtesa konservuese e kapitalit duhet të zbatohet nga të gjitha bankat e sistemit, pavarësisht përmasave.

Ndërkohë, edhe oër vitin 2021, Banka e Shqipërisë nuk do të kërkojë shtesë kundërciklike të kapitalit. Në rregulloren për shtesat makroprudenciale, kjo parashikohet si një shtesë që mund të aplikohet në rastet kur konstatohet një rritje tepër e shpejtë e kredisë nga sistemit bankar.

Por, për momentin, Banka e Shqipërisë nuk vlerëson se ekziston një rrezik i tillë, ndaj edhe për vitin 2021 shtesa kundërciklike e kapitalit do të jetë 0.

Shtesat e para makroprudenciale të kapitalit hynë në fuqi në mars të këtij viti, të adresuara, në pjesën më të madhe, tek bankat me rëndësi sistemike.

Mbështetur në të dhënat më të fundit, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit së sistemit bankar ishte 18.3%, nga 12% që është niveli minimal i kërkuar.

Shtesat makroprudenciale të kapitalit janë të ngjashme me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse në Bashkimin European dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare ndaj rreziqeve të mundshme në të ardhmen.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes