28 Maj

0 komente

Banka e Shqipërisë lehtëson sërish shtyrjen e kredive, por “përgënjeshtron” Ramën: Jo për të gjithë, ata që nuk kanë probleme të paguajnë.

Autor Ersuin Shehu

28 Maj, 2020

kryesore

Banka e Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht sot një paketë të re masash për të lehtësuar ristrukturimin dhe shtyrjen e kredive të huamarrësve në vështirësi nga kriza e krijuar për shkak të epidemisë së Covid-19. Por, nga ana tjetër, Banka Qendrore ka theksuar se klientët që nuk kanë probleme duhet të vazhdojnë të paguajnë rregullisht kreditë, duke përgënjeshtruar tërhthorazi shpalljen e kryeministrit Edi Rama, për një moratorium të ri tremujor të kredive.

Në njoftimin e saj, Banka e Shqipërisë shprehet se, me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të ngritura nga biznesi dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, si edhe bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve të tjera dhe udhëzimeve të Autoritetit Evropian Mbikëqyrës (EBA), miratoi disa ndryshime në rregullat për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat. Rregullat e reja synojnë lehtësimin për bankat, nëpërmjet pezullimit të përkohshëm të zbatimit të detyrimit që rrjedh nga kërkesat për administrimin e rrezikut të kredisë, për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive për të gjitha kategoritë e klientëve, deri në 31 gusht 2020.

Është miratuar gjithashtu një dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet aktuale të kredive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020, pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve. Lehtësim tjetër për bankat është shtyrja me një vit të hyrjes në fuqi të kërkesave më të shtrënguara për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara, për në muajin janar 2022. Nëpërmjet kësaj mase bankat do të mund të përdorin edhe gjatë vitit 2021 të njëjtat kritere për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara si ato përpara situatës së pandemisë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka shtyrë me një vit

rregulloren “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare” deri në muajin janar 2022. Në këtë mënyrë, bankat do të kenë një hapësirë më të madhe kohore të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për huamarrësit e përbashkët në vështirësi financiare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes