Banka e Shqipërisë rriti sërish blerjet e euros në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas shifrave zyrtare mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, në pesë ankande u blenë 42.1 milionë euro, gati tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për 9-mujorin e vitit 2019, Banka e Shqipërisë ka blerë 99.3 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Pas vitit 2015, Banka e Shqipërisë ka shpeshtuar blerjet e euros, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Këto ndërhyrje nuk synojnë të ndikojnë kursin e këmbimit mes euros dhe lekut.
Mbiçmimi i lekut ka favorizuar blerjen e euros me çmimet më të ulëta historike. Sidomos në ankandet e muajve gusht dhe shtator, euro u ble me çmimeve në nivelet më të ulëta historike, poshtë kufirit të 122 lekëve.
Sipas kalendarit vjetor të ankandeve, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të blejë euro edhe tremujorin e fundit të vitit, me pesë ankande të tjera. Rezultatet e ankandeve do të bëhen publike gjatë vitit të ardhshëm.
Vitin e kaluar, banka qendrore pati blerë 124 milionë euro me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe 180 milionë euro të tjera në kuadër të programit që synonte frenimin e forcimit të mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit tetor 2019 vlera e rezervës valutore ka arritur në rreth 3.35 miliardë euro. Në harkun e pesë viteve të fundit, rezerva valutore e Shqipërisë është rritur me rreth 52%.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave të mundshme emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, ajo mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.