Banka e Shqipërisë nuk do të ofrojë më shërbimin e pjesëmarrjes në ankandet e bonove të thesarit për individët. Në mbledhjen e datës 5 gusht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndërprerjen e hapjes së llogarive të reja nga individët për këtë qëllim që nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Individët që e kanë një llogari të tillë të hapur do të mund ta përdorin edhe gjatë vitit 2021, ndërsa duke filluar nga 1 janari 2022 individët nuk do të kenë më mundësi për pjesëmarrje në ankandet e emetimit të bonove të thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë.
Pas kësaj date, të gjitha veprimet për të investuar në bono thesari do të kryhen vetëm nga institucionet e tjera financiare të licencuara për këtë shërbim.
Në njoftimin e saj zyrtar, Banka e Shqipërisë vlerëson se janë pjekur kushtet që ajo të ndërpresë gradualisht këtë aktivitet, që është tipik për një bankë tregtare dhe jo për një bankë qendrore. Banka qendrore shprehet se konkurrenca në tregun financiar për këtë shërbim është e mirë dhe numri i institucioneve që e ofrojnë është rritur.
Aktualisht, në Shqipëri janë nëntë banka tregtare të licencuara për ofrimin e shërbimit të kujdestarisë së titujve shtetërorë.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në mesin e këtij viti, individët mbanin rreth 12.4% të stokut të borxhit të brendshëm. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 77 miliardë lekë ose 620 milionë euro.