2 Prill

0 komente

Banka e Shqipërisë do të blejë të paktën 102 milionë euro këtë vit

Autor Ersuin Shehu

2 Prill, 2020


Banka e Shqipërisë do të vijojë edhe gjatë vitit 2020 programin e blerjes së euros, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Sipas kalendarit zyrtar, për këtë vit janë planifikuar 17 ankande. Dy ankandet e para janë zhvilluar në muajt shkurt dhe mars, por rezultatet do të publikohen vetëm në fillim të tremujorit të tretë. Ankandi i radhës për blerje valute parashikohet të zhvillohet më datë 15 prill.

Në ankandet e planifikuara për t’u zhvilluar gjatë vitit 2020 parashikimi i blerjeve në raundin e parë është për një shumë deri në 102 milionë euro. Megjithatë, shifra është indikative, sepse zakonisht në këto ankande zakonisht aplikohet edhe opsioni i blerjeve në një raund të dytë.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 154.6 milionë euro, në programin e ankandeve për nevojat e rezervës valutore.

Në fund të muajit shkurt, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 3.34 miliardë eurove. Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, kur ato mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.

Shqipëria kaloi një situatë të tillë në fund të muajit mars, kur euro nisi një mbiçmim galopant në kursin e këmbimit me lekun. Në më pak se dy javë, euro u vlerësua me 7%. Sipas burimeve nga tregu valutor, ishte ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë që solli frenimin e zhvlerësimin e lekut dhe kthimin e kursit të këmbimit në parametra më normal. Të enjten, euro u këmbye me 127.68 lekë, në rënie për të tretë ditë radhazi. 

Rritja graduale e rezervës valutore ka nisur që prej vitit 2013, me këshillimin e institucioneve ndërkombëtare, si një masë për të forcuar garancitë rreth stabilitetit financiar të vendit. Euorizimi i lartë i sistemit financiar, në teori, mund të krijojë nevoja për likuiditet në monedhën europiane dhe Banka e Shqipërisë synon që të jetë e përgatitur për një eventualitet të tillë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes