10 Shkurt

0 komente

Banka e Kosovës jep “goditjen” e radhës, kufizon shpenzimet e siguruesve

Autor Ersuin Shehu

10 Shkurt, 2020


Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vendosur të kufizojë shpenzimet administrative të kompanive të sigurimit, deri në nivelin 24% të primeve të shkruara bruto. Kufizimi do të përfshijë shpenzimet e stafit, ato të ndërmjetësimit, promocionit dhe kostot operative në përgjithësi.

Nga ky kufizim përjashtohen vetëm shpenzimet për investime dhe ato për amortizimin ose zhvlerësimin e aktiveve.

Përmes kësaj mase, mbikëqyrësi i tregut financiar në Kosovë synon të kontribuojë në përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori dhe, rrjedhimisht, në rritjen e kapaciteteve të siguruesve për të paguar dëmet ndaj palëve të dëmtuara.

Niveli i lartë i shpenzimet është një tipar jo normal në funksionimin e tregut të sigurimeve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

Kompanitë e sigurimit të jo-jetës në vendin tonë shpenzojnë më shumë për nevojat e tyre administrative, sesa për të zhdëmtuar të siguruarit.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 9-mujorin 2019, kompanitë e sigurimit të jo-jetës në Shqipëri kishin një raport të shpenzimeve operative neto në nivelin 44.27% të primeve të shkruara bruto, ndërsa dëmet e paguara zinin 43.32% të tyre.

Në veçanti, kompanitë e sigurimeve raportojnë kosto mjaft të larta të përvetësimit (acquisition costs), që lidhen kryesisht me komisionet që iu njihen ndërmjetësve në sigurime. Për 9-mujorin 2019, kostot e përvetësimit përbënin më shumë se 28% të primeve të shkruara bruto.

Banka Qendrore e Kosovës po e konfirmon veten si një ndër rregullatorët më rigorozë në rajon. E sigurt është se qasja e saj ndaj rregullimit të tregjeve financiare është shumë më e vendosur në raport me institucionet homologe shqiptare.

Një vit më parë, BQK i hoqi licencën kompanisë së sigurimeve Insig, pasi aksionerët e kompanisë shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesës për të rritur kapitalin.

Ndonëse disa kompani sigurimesh në Shqipëri kanë probleme të ngjashme, AMF nuk ka zbatuar masat e përcaktuara në ligjin organik të tregut dhe ka toleruar prej vitesh nivele të aftësisë paguese që qëndrojnë poshtë kërkesave ligjore dhe rregullatore.

Në fund të vitit të kaluar, BQK hoqi licencën dhe nisi procedurat e likujdimit për dy institucionet e kredidhënies, Iute Credit dhe Monego, me argumentin se ato kishin devijuar nga kushtet e paraqitura në planim fillestar të biznesit dhe rrezikonin të cënonin stabilitetin financiar të vendit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes