Rezervat e kënaqshme të likuiditetit dhe kapitalizimit e bëjnë sistemin bankar në Shqipëri të mbrojtur relativisht mirë ndaj pasojave negative që pritet të sjellë epidemia e Covid-19 në ekonominë reale. Megjithatë, në analizën e saj të fundit, Banka Botërore shprehet se kriza do të sjellë rritje të raportit të kredive me probleme dhe ngadalësim të huadhënies për sektorin privat.
Për të nxitur kreditimin, Banka Botërore sugjeron një lehtësim të përkohshëm të kërkesave prudenciale të kapitalit, që shumica e vendeve kanë filluar t’i aplikojnë në vitet e fundit. Në Shqipëri, shtesat e para hynë në fuqi në mars të këtij viti.
Gjithashtu, sugjerohet pezullimi i shpërndarjes së dividendëve dhe i shpërblimeve për drejtuesit e bankave. Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë pezullimin e fitimeve të pashpërndara të bankave, përfshi ato të realizuara në gjysmën e parë të këtij viti, por për momentin nuk ka vendosur kufizime në shpërblimet e drejtorëve ekzekutivë të bankave tregtare.
Ndërkohë, Banka Botërore shpreh shqetësim për ngrirjen e riklasifikimit dhe provigjionimit të kredive. Sipas analizës, një masë e tillë duhet të jetë e kujdesshme dhe e monitoruar me kujdes. Banka e Shqipërisë i shfuqizuar kërkesat për provigjionim dhe riklasifikim të kredive deri në 31 gusht, ndërsa posaçërisht për kreditë e ristrukturuara çlirimi nga këto kërkesa do të jetë në fuqi deri në 31 dhjetor 2020.
Sistemi bankar në Shqipëri ka nivele likuiditeti dhe kapitalizimi ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se raporti mes kredive dhe depozitave në Shqipëri është shumë më i ulët se në vendet fqinje. Shqipëria e ka këtë tregues në nivelin 54%, ndërsa në vendet e tjera ai fillon nga 77% në rastin e Kosovës, deri në 92% për Serbinë.
Shteti | Raporti kredi/depozita | Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit | Raporti i kredive me probleme |
Shqipëri | 54% | 19.1% | 8.4% |
Kosovë | 77.6% | 15.9% | 2% |
Serbi | 91.6% | 23.4% | 4.1% |
Mali i Zi | 88.1% | 17.7% | 5.1% |
Maqedoni e Veriut | 83.8% | 16.3% | 4.6% |
Bosnje-Hercegovinë | 88.7% | 18.1% | 7.4% |
Sistemi bankar shqiptar mbështetet gjerësisht në depozitat e publikut dhe ka një strukturë më të diversifikuar të aseteve, ku një peshë të lartë zënë investimet në letra me vlerë dhe vendosjet në banka të huaja. Këto janë instrumente shumë më likuide në krahasim me kreditë dhe do t’iu mundësonin bankave përmbushjen e nevojave eventuale për likuiditet.
Shqipëria ka gjithashtu ndër nivelet më të larta të kapitalizimit në rajon. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në 19.1%, duke qenë i dyti më larti në rajon, pas Serbisë që e ka këtë tregues në nivelin 23.4%.